Shkëndija – Rabotniçki, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini

Shkëndija – Rabotniçki është derbi ndeshja e javës së 5-të. Skuadra shkupjane në Tetovë udhëton si lider, mirëpo shumë lehtë mund të ndodh që sot pas përfundimit të ndeshjes piedestalin të marrë Shkëndija dhe të marrë atë pozitë, të cilën vitin e kaluar e mbajti më shumë se çdo skuadër tjetër dhe në fund me plotë meritë u shpallën kampion.

Shkëndija dhe Rabotniçki janë ndër skuadrat më të mira në futbollin vendor që viteve të fundit vazhdimisht prezantojnë vendin në arenën ndërkombëtare. Për dallim nga “romantikët” që së fundmi u eliminuan që në raundin e parë, Shkëndija edhe këtë vit arriti deri në garat e “play-off”.

NDESHJET E FUNDIT

Rabotniçki në tre ndeshjet e fundit kampionale ka arritur po aq fitore, të cilat e ndihmuan skuadrën nga “Parku i Qytetit” që të rrëmbejë kreun e tabelës nga Akademia Pandevi. Megjithatë edhe Shkëndija nuk ngec në këtë drejtim, pasi në tre përballjet e fundit “kuqezinjtë” kanë arritur dy fitore dhe vetëm një barazim, edhe atë në kuadër të javës së dytë kundër Makedonija Gjorçe Petrovit në Shkup (0:0). Në dy ndeshjet e fundit kampionale Shkëndija ka arritur dy fitore, ndërsa ajo që gëzon trajnerin Osmani është numri i golave të shënuar, gjithsej 6. Katër gola Shkëndija shënoi në ndeshjen e javës së tretë ndaj Bellasicës, ndërsa dy gola në fitoren 2:1 në Çair ndaj FC Shkupit.

Interesant është fakti se nga gjithsej 4 ndeshjet e deritanishme që ka zhvilluar Shkëndija, tre prej tyre i ka zhvilluar ndaj skuadrave shkupjane, ndërsa ndeshja e sotme kundër Rabotniçkit do të jetë e katërta. Deri më tash në përballjet ndaj skuadrave nga kryeqendra jonë ka regjistruar një fitore dhe dy barazime, ndërsa mbetet të shihet epilogu i takimit të sotshëm.

MUNGESAT

Te Shkëndija në këtë ndeshje shumë të rëndësishme do të mungojë futbollisti mbrojtës, Mevlan Murati si dhe braziliani Stenio Zhunior, i cili u lëndua në ndeshjen e fundit të Kupës kundër Kozhuvit. Po në këtë ndeshje në lëndim u ankua edhe Izair Emini, i cili gjithashtu është në dyshim dhe trajneri rreth aktivizimit të tij do të vendos vetëm në çastet e fundit, ndërsa për shkak pezullimit jashtë kombinimit është edhe mbrojtësi Konstantin Çeshmexhiev. Te skuadra “kuqezi” nga Tetova janë kthyer Arbin Zejnullai dhe Shefit Shefiti, të cilët munguan në mesjavë ndaj Kozhuvit, për shkak angazhimeve te kombëtarja U21 e Shqipërisë.

Ndërkohë në anën tjetër trajneri Gjore Jovanovski nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit të parë, Riste Jankov, vendin e të cilit pritet ta zë Bozhinovski, teksa gjithashtu do të mungojnë edhe dy mesfushorët Nikolla Sharkoski dhe Ljubomir Stefanoviç.

HISTORIA

Shkëndija kohëve të fundit ka bilans shumë pozitiv në duelet me rivalin nga Shkupi, përballë të cilëve nuk njeh humbjen në shtatë takimet e fundit (4 fitore dhe tre barazime, prej të cilëve njëri barazim i fituar me penalti në kuadër të Kupës). Sezonin e kaluar në kampionat Shkëndija fitoi të katër përballjet, madje në njërën prej tyre (17.09.2017 triumf 6:2 në Gjorçe Petrov) shënoi një prej fitoreve më bindëse në historinë e klubit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

5 ndeshjet e fundit kampionale të zhvilluara në Tetovë mes këtyre dy skuadrave kanë dhuruar 18 gola, apo nga 3.6 gola për ndeshje. Deri më tani asnjë ndeshje kampionale mes këtyre dy skuadrave në Tetovë nuk është mbyllur me barazim pa gola.

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Rreziku më i madh për Rabotniçkin në këtë ndeshje, pa dyshim se do të vjen nga bomberi kërçovarë, Besart Ibraimi, i cili shquhet me goditjet e tij precize dhe gjindshmërinë para golit kundërshtarë, ndërsa në anën tjetër si një lider i vërtetë te skuadra e Rabotniçkit veçohet kapiteni Ostoja Stjepanoviç, i cili sjellë shumë siguri në mesfushë, ndërsa bënë një lidhje mjaft të mirë mes mbrojtjes dhe mesfushës, po në shumë raste dinë të ndihmojë edhe futbollistët ofenziv të skuadrës së tij.

Leave a Reply