Liga Europa, ndahen vazot, FC Shkupi mund të përballet me Gllazgou Renxhers

Gjatë ditës së sotme janë ndarë vazot edhe sa i përket shortit që pritet të hidhet gjatë ditës së nesërme për eliminatoret e Liga Europa, aty ku pas shumë viteve do të marrë pjesë edhe klubi nga Çairi, tashmë me emrin FC Shkupi, njofton “infOSport.mk”.

FC Shkupi ndodhet në grupin e dytë, ndërsa si kundërshtarë të mundshëm të skuadrës së trajnerit Zekirja Ramadani janë 5 skuadra mjaft të njohura europiane.

Domzhale e Sllovenisë, Gabala e Azerbajxhanit që së fundmi u përforcua me Sabien Lilajn e Skënderbeut, pastaj Dinamo Tbilisi i Gjeorgjisë, Gllazgou Renxhersi i Skocisë dhe Apolon Limasol e Qipros janë kundërshtarët e mundshëm të skuadrës nga Çairi. Që të gjitha këto skuadra me eksperiencë në Europë, ndërsa FC Shkupi duhet të shpresojë në një përballje me skuadrën e Apolon Limasol, për të rritur disi shanset e kualifikimit, edhe pse drejtuesit e skuadrës “bardhekaltër” dëshirojnë që për kundërshtarë të kenë gjigandët skocec të Gllazgou Renxhersit.

Mbetet të shihet nëse do ju plotësohet dëshira krerëve të klubit nga Çairi, që rikthehet në skenën ndërkombëtare pas plotë 14 viteve, transmeton “infOSport.mk”.

Shorti për ndeshjet eliminatore të Liga Europa nesër në Nion do të hidhet me fillim nga ora 13:00, ndërsa një orë më herët Shkëndija do të mësojë kundërshtarin e saj në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve Europian.

Leave a Reply