Vilder: Do turpërohesha, nëse do humbisja nga Fjuri

Boksieri amerikan Deontej Vilder ka thënë se nuk e mendon aspak humbjen përballë kundërshtarit të tij të ardhshëm, Tajson Fjuri, një përballje kjo mes dy kampionëve të pamposhtur të peshës së rëndë, të cilët me 1 dhjetor në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të dalin në ring.

‘Ai e di shumë mirë që do të përfundojë me fytyrën të gjakosur në tapet. Ai e di shumë mirë që trupi i tij do të përplaset mes litarëve dhe do të përfundojë në tapet. Le t’i djegë kilet e tepërta me mua në ring’, – u shpreh 31-vjeçari Deontej Vilder, i cili në karrierën e tij si profesionist ka 40 fitore dhe asnjë humbje.

Më tej, Vilder, kampioni i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC, tha: ‘Do të më vinte turp nga vetja nëse do të më mundte një njeri si ky. Ndaj të premtoj ty, ju premtoj fansave se do ta fitoj me nokaut këtë duel. Këtë fjalë, nokaut, ngulite në mend miku im. Nuk ka asnjë shans që të fitosh ti, pasi unë do të jem sërish kampion bote’.

Ai dhe britaniku Tajson Fjuri (27 fitore e asnjë humbje), mbyllin sot në Los Anxhelos një tur 3-ditor për të promovuar këtë sfidë për titullin kampion.

Leave a Reply