Nesër derbi Vardari-Shkëndija, tetovarët janë mundur vetëm 1 herë në 8 takimet e fundit!

Nesër rikthehet kampionati vendor pas pauzës dy javore për shkak të angazhimeve të përfaqësueseseve në Ligën e Kombëve. Xhiroja e 10-të në elitën e futbollit vendor sjell derbin ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës.

Kuqezinjtë duken gati për të sulmuar fitoren në transfertën me Vardarin në kërkim të tre pikëve me të cilat do të ngushtonin diferencën në kreun e renditjes. Të përzgjedhurit e Qatip Osmanit kanë shfrytëzuar pauzën dy javore në kampionat për të marrë veten nga rritmi i ngjeshur, ndërsa pas pushimit tre-ditorë futbollistët kanë punuar në mënyrë intenzive për të ngritur formën e luhatur në tre ndeshjet e fundit (mungon triumfi në tre takimet të njëpasnjëshme).

Përkundër barazimit në start të këtij sezoni, kohëve të fundit bilansi është në anën e Shkëndijës, që për më shumë vite me rradhë e eliminon rregullisht rivalin direkt nga Kupa. Këtë sezon sfida e parë në Tetovë u mbyll baraz 2:2, ndërsa Shkëndija nuk humb nga ky rival në pesë sfidat e fundit (vetëm një disfatë në tetë takimet e fundit). Gjithsesi ndeshja e rradhës është histori e re dhe kuqezinjtë e Qatip Osmanit besojnë në epilog pozitiv për të nisur një seri të re të fitoreve.

Takimi Vardari-Shkëndija zhvillohet nesër në “Boris Trajkovski” në Shkup, duke nisur nga ora 14:30.

Leave a Reply