Deklarata e Osmanit pas fitores me Vardarin

Skuadra kampione në fuqi  e Maqedonisë, Shkëndija të dielën në stadiumin ‘Boris Trajkovski’ në Maxhari arriti që të mund Vardarin në derbi ndeshjen e javës së 10-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Emini dhe Ibraimi shënuan nga një gol në fund të secilës pjesë për fitore 2:0 të Shkëndijës dhe disfatë të parë për shkupjanët në këtë sezon.

Triumfi ngushton diferencën mes këtyre dy skuadrave, me kampionët e Shkëndijës që i afrohen në katër pikë liderit aktual, që dje pësoi disfatën e parë në sezonin e ri. Kjo fitore për Shkëndijën, përveç pikëve sipas trajnerit Qatip Osmani ka vlerë të madhe edhe për vetëbesimin e skuadrës.

“Sigurisht se jemi shumë të kënaqur me fitoren dhe për këtë duhet përgëzuar futbollistët për lojën e treguar dhe triumfin e merituar”, thotë trajneri kuqezi, duke vijuar.

“Pauza dy javore në kampionat na bëri mirë pasi e shfrytëzuam për t’u konsoliduar. Ishim të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, duke u përgatitur edhe psiqikisht, kështu që ishim të gatshëm në të gjitha aspektet për të fituar këtë duel.”

Për shefin e stafit teknik të Shkëndijës, vendimtar në arritjen e fitores ishte koncentrimi që tregoi skuadra gjatë gjithë takimit.

“Angazhimi i futbollistëve ishte vendimtar për fitoren e sotme. Përveç dy golave ne krijuam edhe shumë shanse për të shënuar. Gjatë 90-të minutave ishim konstantë dhe nuk rezikuam të pësojmë gol. Me rëndësi ishte se Shkëndija luajti 90-të minuta dhe ishim gjithë kohën të koncentruar. Kriza që kishim në rezultate imponon presionin jo vetëm për futbollistët, mirëpo ne kemi punuar të koncentuar me besim në forcat tona dhe sot dëshmuam se dijmë të menaxhojmë edhe me situata të pavolitshme” – u shpreh Osmani, i cili tha se fitorja ndaj rivalit kryesor për titull në fushën e saj, duhet shfrytëzuar për vazhdimësi dhe moral për sfidat që pasojnë.

“Kjo fitore sjell vetëm tre pikë dhe kampionati vazhdon njejtë, por nëse analizojmë situatën ky triumf besoj në ndeshjet e ardhshme do të ndikojë në ngritjen e vetëbesimit që na ka munguar në ndeshjet e kaluara“, përfundoi Qatip Osmani.

Shkëndija javën që vjen në Tetovë do të mirëpret Makedonija GJ.P.

Leave a Reply