Alili dhe Neziri nga Maqedonia pajisen me pasaporta shqiptare, gati për Shqipërinë

Dy ndër lojtratë më të mirë të futbollit në palestër në vendin tonë, Ylber Alili dhe Eljesa Neziri, prej sot edhe zyrtarisht janë pajisur me pasaporta shqiptare, njofton ‘infOSport.mk’. Që të dy në këtë mënyrë në të ardhmen do të përfaqësojnë kombëtaren e Shqipërisë në futsal, edhe pse në të kaluarën kishin qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, mirëpo duke luajtur vetëm në ndeshje miqësore.

Një gjë të këtillë në maksimum e shfrytëzoi Federata Shqiptare e Futbollit, e cila që muaj më parë kishte marrë këta dy super lojtarë në gjirin e vetë, ndërsa tashmë ka bërë që ata të ndihen plotësisht shqiptarë, duke u pajisur edhe me pasaportën që ka edhe shqiponjën dy krenare.

Ylber Alili është pjesë e Futsal Shkupit dhe ishte ndër tre lojtarët e nominuar për më të mirin e vitit në futsalin vendor, teksa Eljesa Neziri aktualisht është pjesë e skuadrës së Prishtinës nga Kosova.

Që të dy tashmë disa ditë ndodhen në përgatitje me kombëtaren shqiptare në Kosovë, ndërsa nga data 31 janar deri me 3 shkurt, bashkë edhe me pjesën tjetër të skuadrës ‘kuqezi’ do të marrin pjesë në turneun parakualifikues në Shkup, ku përveç tyre në grup do të jenë edhe nikoqiri, Maqedonia, San Marino dhe Greqia, transmeton ‘infOSport.mk’.

Kombëtarja shqiptare bashkë me Alilin dhe Nezirin ndeshjen e saj të parë në kuadër të këtij turneu do ta zhvillojë me 31 janar kundër San Marinos, që më pas me 1 shkurt të përballet me Greqinë, ndërsa ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë kundër Maqedonisë me datë 3 shkurt.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në palestrën ‘Jane Sandanski’ në Aerodrom të Shkupit.

Leave a Reply