Deklarata e Ardian Nuhiut pas fitores në derbin e Anamoravës

Ardian Nuhiu ka debutuar me fitore në bankinën e FC Dritës, teksa ka realizuar fitore madhështore në derbin lokal ndaj Gjilanit me rezultat bindës 3:1. Strategu shkupjan është shprehur i lumtur me fitoren e arritur në ndeshjen e tij të parë si kryetrajner i skuadrës kampione të Kosovës, derisa ka falenderuar drejtuesit e klubit për besimin.

“Jam shumë i lumtur për këtë fitore. Por, më tepër jam i lumtur për futbollistët, pasi që ata e kanë merituar një fitore të tillë. Është një punë e përbashkët me profesor Duron dhe jo vetëm e imja. Dua ti falenderoj drejtuesit e klubit për besimin. Kemi bërë një ndeshje të mirë, me ç’rast krijuam shumë dhe me meritë e fituam ndeshjen”, – deklaroi pas ndeshjes Nuhiu.

Drita në takimin e sotëm luajti një futboll shumë ofenziv, ndërsa Nuhiu tregoi edhe arsyen e një futbolli të tillë të aplikuar.

“Ndoshta se kam qenë vetë sulmues si futbollist, ndaj edhe kërkoj lojë ofenzive nga ana a e futbollistëve të mi. Këta futbollistë dijnë të luajnë futboll ofenziv dhe ne do të nxjerrim më të mirën nga ta. Futbolli do vazhdimësi dhe ne do marrim ndeshjet rradhazi. Do mundohemi që të mbajmë ekipin sa më lartë dhe të përgatitemi për edicionin e ri”, – përfundoi Nuhiu.

Leave a Reply