Solskjaer, trajner i Junajtedit, firmos për tre vite!

Ole Gunar Solskjaer është emëruar sot trajner i përhershëm te Mançester Junajtid dhe në konferencën e parë pas emërimit tha se realizoi “ëndrrën finale”, duke pranuar se pas zyrtarizimit të firmës 3-vjeçare një ndër personat e parë që telefonoi ishte Sër Aleks Ferguson.

Me Solskjaer në drejtim, Junajtid ka humbur vetëm 1 herë në 13 ndeshje kampionati, ndërsa në Champions League eliminoi bujshëm PSG, pas humbjes 2-0 në vajtje, në Old Trafford.

“Kjo ka qenë ëndrra ime më e madhe, ëndrra finale, ndoshta një ëndërr naive, por që e kam pasur gjithnjë në mendje”, tha 46-vjeçari pasditen e sotme.

Solskjaer ka luajtur për 11 sezone me Junajtid, duke shënuar golin që vlejti triumfin në fianlen e Champions League në 1999. Kur mori drejtimin e përkohshëm, në dhjetor, Solskjaer e gjeti Junajtid në vendin e gjashtë në kampionat, 11 pikë larg katërshes së kreut, ndërsa tani është vetëm 2 pikë pas Arsenalit, që mban vendin e katërt.

Ai u bë trajneri i parë i Junajtid që fiton 6 ndeshjet e para në kampionat, duke thyer një rekord që rezistonte prej kohës së Sër Met Basbit.

“Do jem vetvetja, si gjithnjë, e di si funksionon kjo punë. Dua trofe, por sfida më e madhe është përmirësimi i skuadrës. Ka pasur përmirësim në muajt e fundit, por ka ende shumë hapësira për të bërë më shumë”.

Junajtid nuk e fiton Premier Ligën prej vitit 2013, sezoni i fundit i Ferguson në stolin e Red Devils, ndaj Solskjaer kërkon durim.

“Presim të kthehemi te titulli, ku është mësuar Junajtid, që ka kaq shumë trofe. Nuk mund të presim shumë gjatë, por nuk mund të ndodhë brenda natës. E di që do të kemi sukses, por hapat duhen hedhur një nga një.

“Nuk ka rëndësi çfarë kam bërë si futbollist, tani është histori e re. Ka qenë fantastike të punoja me trajnerin më të mirë në botë, e mora në telefon Ferguson sapo u konfirmova në stol, por tani jam unë trajneri dhe kjo është arritje më e madhe për mua. Tani nis një punë edhe më e madhe, pres me padurim të punoj me këta djem, por edhe me ata që do të afrohen, sepse kemi synimin të përforcohemi”.

Leave a Reply