Drita e bënë Cuculin mbrojtësin më të paguar në Superligën e Kosovës!

Prishtina dhe Ardian Cuculi kanë qenë në bisedime intensive. Gjithçka ishte në rrugën e duhur, aq sa u mendua se marrëveshja ishte e mbyllur dhe vetëm pritej prezantimi. Por, megithatë situata tashmë ka ndryshuar dhe mbrojtësi tetovar është shumë pranë Dritës së Gjilanit, njofton “Gazeta SHESHI”, përcjellë “infOSport.mk”.

Klubi gjilanas ishte edhe më herët në garë për 32 vjeçarin, por për një apo shumë arsye bisedimet kishin ngecur, teksa ish-mbrojtësi i Kukësit është sërish në ‘pole position’ për të përforcuar qendrën e Dritës.

Akordi financiar nuk është aspak problem për drejtuesit e klubit ‘bardhekaltër’ nga Gjilani, ndaj kanë mbetur detajet për tu kompletuar dhe për tu finalizuar marrëveshja.

Në këtë mënyrë strategu shkupjan, Ardian Nuhiu do të kishte në dispozicion katër mbrojtës  qendre duke llogaritur edhe Liridon Leci që në fazën përgatitore ka luajtur në atë pozitë së bashku me Ardian Limanin, Fidan Gërbeshin apo Sedat Berishën.

Në rast se arrihet marrëveshja Drita-Cuculi, atëherë mbrojtësi tetovar do të bëhej më i paguari në kampionat pa as edhe një dyshim nga gjithë kolegët e tij të tjerë në repartin e vijës së fundit të mbrojtjes.

Më parë Cuculi ishte pjesë e Shkëndisë së Tetovës, Pobedës, Milanos së Kumanovës, Partizanit dhe Kukësit.

Leave a Reply