Derbi mes strategëve shkupjan në Superligën e Kosovës mbyllet me barazim

Të shtunën në Superligën e Kosovës në program ishte ndeshja midis dy kampionëve të fundit, Feronikelit dhe Dritës së Gjilanit, skuadra këto që aktualisht udhëhiqen nga strategë shkupjan, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Niklit nga Drenasi tashmë 3 ndeshje udhëhiqet nga Agim Sopi, ndërsa skuadra e Dritës që nga viti i kaluar me mjaft sukses po drejtohet nga Ardian Nuhiu. Ndryshe sa i përket rezultatit përfundimtarë, ai doli të jetë i fillimit 0:0.

“Ishte një ndeshje e vështirë duke e ditur faktin se kishim të bënim me një kundërshtarë shumë të fortë siç është Drita, një skuadër mirë e organizuar dhe me një mbrojtje shumë të fuqishme. Ne krijuam disa mundësi në fillimin e ndeshjes, por që nuk ia dolëm të realizonim dhe gjërat më pas u vështirësuan. Kemi zhvilluar tri ndeshje shumë të forta, ndaj Ballkanit, Prishtinës dhe Dritës. Futbollistët kanë vrapuar shumë dhe një pikë nga kjo përballje nuk është pak”, – deklaroi Agim Sopi për “Super Sport Kosova”.

Pas këtij barazimi, Feronikeli mbetet në pozitën e 6-të me 23 pikë, ndërkohë Drita e Ardian Nuhiut me 28 vazhdon në ndjekje të dy skuadrave kryesuese, Gjilanit dhe Ballkanit që kanë nga 30 pikë.

Leave a Reply