Pas trajnerit Rexhepi, nga Dukagjini u larguan edhe dy futbollistët shqiptarë nga Maqedonia

Skuadra e Dukagjinit nuk po kalon momente të mira në Superligën e Kosovës. Inkuadirmi i tyre në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar bëri shumë bujë në qytetin e Klinës, mirëpo 15 xhirot e para rezultuan shumë të hidhura për këtë skuadër, që mban fenerin me vetëm 8 pikë të tubuara.

Sezonin e ri ata e nisën me strategun tetovar, Xhengis Rexhepi, një emër i njohur për futbollin kosovar, mirëpo pasi rezultatet munguan, i njëjti dha dorëheqje. Mirëpo edhe pas largimit të tij, e njëjta situatë po mbizotëron te skuadra nga Klina, e cila në këto tre ndeshjet e fundit po udhëhiqet nga Severin Elezaj, nën drejtimin e të cilit Dukagjini morri një barazim pa gola ndaj Prishtinës, ndërsa pësoi në ndeshjet kundër Dritës (0:1) dhe sot kundër Flamurtarit (1:2).

Pikërisht disfata e sotme bëri që nga skuadra e Dukagjinit të largohen 3 futbollistë, 2 prej të cilëve nga Maqedonia e Veriut. Siç raporton “Zëri”, bëhet fjalë për struganin Altin Lloga dhe shkupjanin, Husein Demir, të cilët tashmë janë futbollistë të lirë.

Që të dy iu bashkuan Dukagjinit para fillimit të sezonit, mirëpo duke mos lënë ndonjë gjurmë, kjo edhe për shkak rezultateve të dobëta të kësaj skuadre, që vetëm mrrekulli mund ta shpëtojnë nga rënia në Ligën e Parë të Kosovës.

Leave a Reply