Përfaqësues të gjigandit anglez në Prishtinë për të ndjekur Muriqin!

Vedat Muriqi po kalon momentet më të mira të karrierës së tij. Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Superligën e Turqisë me fanellën e Fenerbahçes, ndërsa gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm po jep edhe me përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy ndeshjet vendimtare, përmes të cilave do të vendoset fati i “Dardanëve”, nëse do marrin vizën për në Euro 2020.

Fillimisht Muqiri me Kosovën e tij me 14 nëntor do të përballet në transfertë me Çekinë, ndërsa vetëm 3 ditë më vonë në Prishtinë do të luajnë kundër Anglisë. Pikërisht në këtë ndeshje, sipas asaj që raporton gazeta turke, “Fanatik”, përfaqësues të klubit anglez, Totenham, do të vijnë në “Fadil Vokrri” për të ndjekur nga afër sulmuesin kosovar, Vedat Muriqi.

Mirëpo, ata mund të ndahen të zhgënjyer pasi ai mund të mos aktivizohet fare pas dëmtimit që së fundmi e pësoi në ndeshjen kundër Kasimpasha, në të cilën ndeshje realizoi 2 gola, duke ndihmuar Fenerbahçen të marrë fitoren 3:2.

Muriqi sot është stërvitur i vetëm, ndaras nga grupi në seancën e parë stërvitore para ndeshjeve të nëntorit.

Klube si Totenham dhe Mançester Junajted muajve të fundit kanë qenë të lidhur me sulmuesin shtatlartë të Kosovës, pas formës së mirë të tij këtë edicion me Fenerbahçen.

Kujtojmë se skautët e Totenhamit e kanë përcjellur Muriqin në disa ndeshje me klubin dhe Kombëtaren.

Leave a Reply