Muriqi rikuperohet në kohë rekord, i gatshëm për të tundur rrjetat me Fenerbahçen!

Rezultoi më i lehtë nga sa parashikohej dëmtimi që pësoi sulmuesi kosovar i Fenerbahçes, Vedat Muriqi. Ky i fundit pësoi një lëndim javë më parë në ndeshjen kampionale kundër Kasimpasha, në të cilën ndihmoi skuadrën e tij me dy gola në fitoren 3:2.

Shkaku i atij lëndimi, Muriqi mungoi në dy ndeshjet vendimtare të  përfaqësueses së Kosovës, kundër Çekisë dhe Anglisë. Mungesa e tij u vërejt shumë, ashtu që Kosova humbi në të dyja ndeshjet, duke humbur mundësinë e parë e kualifikimit në Europianin e vitit 2020, mirëpo me shumë gjasa do të jetë gati për ndeshjen e 26 marsit kundër Maqedonisë së veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.

Edhe pse fillimisht u tha se Muriqi kishte humbur pjesën e mbetur të këtij viti, sulmuesi kosovar ka djegur çdo etapë dhe është rikthyer këtë të enjte në stërvitje me klubin e Fenerbahçes.

Gjasat janë që Muriqi të rikuperohet në kohë rekord dhe të jetë gati për të luajtur për ndeshjen e kësaj të shtune që Fenerbahçe do të luajë ndaj Goztepe. Javën që shkoj, skuadra e tij barazoi pa gola në transfertën ndaj Malatiaspor.

Muriqi te Fenerbahçe është sulmuesi kryesor me 7 gola në 11 ndeshje.

Leave a Reply