Verder Bremen zbulon klauzolën e re të Rashicës

Milot Rashica me shumë gjasa po i kalon javët e fundit si futbollist i Verder Bremen, pasi gjatë merkatos së verës pritet edhe largimi i tij në drejtim të ndonjë skuadre të re.

Ylli i përfaqësueses së Kosovës po kërkohet nga shumë skuadra të njohura evropiane, derisa është ende e paqartë mënyra e largimit të tij nga rradhët e Verder Bremen.

Ditë më parë në Gjermani e bënë fakt të kryer transferimin e Rashicës te RB Lajpcig, por ka qenë skuadra gjermane që e ka mohuar një gjë të tillë, por pa e mohuar interesimin për Rashicën.

Rashica ka një klauzolë largimi nga Verder Bremeni prej 38 milionë eurove, klauzolë që vlen vetëm për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë, shkruan “Telegrafi”.

Megjithatë tani mediat gjermane kanë zbuluar një tjetër klauzolë të Rashicës e cila ka shumë mundësi të aktivizohet.

Verder Bremeni është duke rrezikuar rënien në Bundesliga 2, dhe nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë aktivizohet klauzola që Rashica të largohet për vetëm 15 milionë euro.

Kjo gjë ka alarmuar skuadrat e interesuara për reprezentuesin kosovar që tani po shpresojnë në rënien e Verderit nga elita e futbollit gjerman.

Nga ana tjetër nëse ndodh një gjë e tillë për Verderin do të ishte një katastrofë e vërtetë, pasi klubi është duke kaluar nëpër një krizë të madhe financiare dhe të gjitha shpresat i kanë tek shitja e Rashicës.

Numri i skuadrave që kërkojnë Rashicën është i gjatë, me RB Lajpcig, Borusia Dortmund dhe Shalke 04 në Gjermani, derisa edhe skuadrat si Lacio, Liverpull, Vulverhempton dhe Aston Villa kanë shprehur interesim për yllin kosovar.

23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 24 ndeshje me fanellën e Verderit, duke regjistruar 10 gola dhe 5 asistime.

 

Leave a Reply