Tirana gati për të bërë edhe një goditje tjetër të madhe

Pas paraqitjes dinjitoze në Ligën e Kampionëve, te Tirana janë shtuar apetitet për të krijuar një skuadër edhe më të  fuqishme, e cila do të prezantohej edhe më mirë në ndeshjet e Liga Europa, shkruan “infOSport.mk”.

Kështu drejtuesit e skuadrës “bardheblu” nga kryeqendra shqiptare thuhet të kenë kontaktuar me gardianin e Prishtinës, Visar Bekaj.

Ky i fundit ka qenë portieri më i mirë në futbollin e Kosovës në vitet e kaluara, derisa forma e tij e mirë i ka rënë në sy edhe përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Çallandes.

Ka më shumë se një vit që Çallandes e fton rregullisht portierin e FC Prishtinës në Përfaqësuesen e Kosovës.

Portieri 23-vjeçar pritet t’i jap fund aventurës së tij me FC Prishtinën, duke zëvendësuar ngjyrat “bardheblu” me ato të Tiranës.

Kujtojmë Tirana ka shprehur interesim që një kohë për Bekajn, derisa marrëveshja është shumë pranë të mbyllet mes palëve.

Vlen të ceket se Bekaj u paraqit në 33 ndeshje në të gjitha garat edicionin e kaluar me FC Prishtinën, derisa kishte mbajtur portën e paprekur në 18 ndeshje. Vlera aktuale e tij në tregun e transferimeve sipas “TransferMarkt” është 275 mijë euro.

Leave a Reply