Partizanit nuk i ndahen gjyqet, kësaj rradhe përfshihet edhe Jasir Asani!

Çështja “Çinari” i ka hapur shumë punë Partizanit dhe pasojat e dënimit të dhënë nga FIFA janë të konsiderueshme. Me merkaton e bllokuar për dy sesione, të kuqve u lejohet të afrojnë vetëm lojtarë nga organikat e skuadrave që kanë pasur vjet; U-17, U-19, Partizani B, si dhe të rikthejnë lojtarët që kanë pasur në huazim.

Katër kanë qenë lojtarët që Partizani ka pasur në huazim dhe që janë rikthyer në ekip: Lukas Kardozo dhe Dionis Çikani te Besa; Jasir Asani te AIK Stokholm; Alesio Hyseni te KI Klaksvik.

Për dy lojtarët e huazuar te Besa e Kavajës, të kuqtë nuk kanë pasur vështirësi për marrjen e dokumentacionit, pasi kartonët e tyre ishin në FSHF. Ndërsa, për regjistrimin e Jasir Asanit dhe Alesio Hysenit Partizanit i është dashur të hapë gjyq në FIFA.

Sipas dënimit të dhënë nga FIFA për gjyqin e humbur me kroatët e Istras për federimin e Erald Çinarit në verën e 2018- ës, Partizani e ka të bllokuar sistemin e transferimeve ndërkombëtare të lojtarëve. Kështu që ka pasur një barrierë për kalimin e kartonëve të Asanit dhe Hysenit nga Federata Suedeze e Futbollit dhe nga federata e Ishujve Faroe.

“Panorama Sport” ka mësuar se gjyqi i parë në FIFA ka qenë për Jasir Asanin, ku gjyqtari i ngarkuar për këtë çështje i ka dhënë të drejtë të kuqve për tërheqjen e kartonit të sulmuesit nga federata suedeze dhe regjistrimin e tij në sistemin TMS nga FSHF.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe për Alesio Hysenin dhe kartoni i mesfushorit pritet të mbërrijë nga federata e Ishujve Faroe, në mënyrë që Partizani ta regjistrojë lojtarin për sezonin e ri futbollistik, i cili nuk dihet se kur do të nisë.

Sipas kësaj procedure të mësipërme, del se në rast se të kuqtë do të kishin pasur gati ndonjë parakontratë lojtari përpara dhënies së dënimit të FIFA-s, Partizani do të kishte pasur mundësi që ta federonte.

Madje, edhe KAS para se të vendoste për vendimin e ndërmjetëm në lidhje me merkaton, ka kërkuar kontrata dhe parakontrata me lojtarë, ku mund të vërtetohej dëmi i shkaktuar nga bllokimi.

Leave a Reply