Renova gati dy muaj pa fitore, vetëm barazim me Pelisterin

Renova tashmë gati dy muaj nuk dinë për fitore në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Xhepçishti për herë të fundit kishte fituar me 22 gusht kundër Akademia Pandev (2:0), në Tetovë, ndërkohë sot në ndeshjen e zhvilluar si vendas në Gostivar, barazoi pa gola ndaj Pelisterit.

Mungesa e një fitoreje në një periudhë kaq të gjatë kishte alarmuar të gjithë tek “gjipspnuesit”, të cilët ndeshjen ndaj rivalit nga Manastiri e nisën furrishëm. I pari që u kanos, dhe që njëherit kishte mundësinë më të mirë për të kaluar Renovën në epërsi, ishte Suhel Muharremi, mirëpo i njëjti nuk arriti të shfrytëzojë gabimin e mbrojtjes mysafire me në krye portierin Davor Taleski.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 6-të, ndërsa për plotë 15 minuta Renova kanosej drejt portës mysafire, por pa rezultat. Pas çerekut të parë, Pelisteri morri frymë, mirëpo pa mundur të rrezikojë më konkretisht portierin Velii, i cili gjatë pjesës së parë thuajse ishte i papunë.

Megjithatë nuk ndodhi kështu edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur Pelisteri tentonte, ndërsa Neto dhe Pejakoviç nuk ishin në gjendje për të mposhtur portierin e vendasve. Renova sërish morri kontrollin e lojës, mirëpo kot, pasi asnjë nga rastet e krijuara nuk përfundoi në rrjetën e Taleskit.

Në minutat e fundit Remzifaik Selmani rrezikoi edhe njëherë tjetrën portën e mysafirëve nga Manastiri, të cilët i shpëtoi shtylla, ndërsa shumë afër golit në anën tjetër ishte edhe Manevski, festën e të cilit e ndali traverza, transmeton “infOSport.mk”.

Kështu në fund të dyja skuadrat nuk shënuan dhe i ndanë pikët në kuadër të javës së 9-të. Renova me 7 pikë të tubuara renditet në pozitën e 10-të, ndërkohë  Pelisteri me11 pikë mban pozitën e 8-të në renditje.

Leave a Reply