Nuk mjafton goli i Demir Imerit, Vllaznia dorëzohet në Shkodër përballë Laçit

Demir Imeri ka dhuruar edhe një paraqitje shumë të mirë me fanellën e Vllaznisë së Shkodrës, skuadër kjo që sot u dorëzua në Shkodër përballë Laçit të Shpëtim Duros, njofton “infOSport.mk”.

Futbollisti kërçovarë shënoi golin e vetëm për Vllazninë, skuadër kjo që në fund u mund 2:1 nga Laçi.

Që të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, derisa i pari që shënoi ishte sulmuesi amerikan, Kirian Nvabueze, i cili në minutën e 59-të kaloi në epërsi Laçin.

Vllaznia barazoi shifrat në minutën e 66-të falë golit të Demir Imerit, për të cilin ishte ky goli i katërt sezonal, mirëpo nuk vonoi shumë dhe 6 minuta më pas Laçi sërish kaloi në epërsi me anë të sulmuesit nga Liberia, Van-Dave Harmon.

Me këtë fitore, Laçi i Shpëtim Duros tashmë pozicionohet në vendin e dytë me 30 pikë, 7 më pak se Vllaznia, që edhe përkundër disfatës vazhdon të mbajë pozitën e parë në renditje. (infOSport.mk)

Leave a Reply