Skuadra e La Liga-s shkarkon trajnerin!

Alvaro Servera nuk është më trajner i skuadrës së Kadizit, me të cilën skuadër këtë edicion në La Liga, nga gjithsej 20 ndeshje, regjistroi vetëm dy fitore.

Fatale për teknikun 56-vjeçar ishte humbja ndaj Osasunës të dielën, ku ishte disfata e 5 në 7 ndeshje, nga ku skuadra andaluze ka grumbulluar vetëm 2 pikë në këto shtatë takime.

Mbyllet kështu një kapitull i bukur për teknikun nga Guina Ekuatoriale, i cili e dërgoi ekipin nga kategoria e tretë në La Liga për vetëm 4 vite. Servera drejtimin e Kadiz e kishte marrë me 18 prill të vitit 2016-të, duke udhëhequr kështu këtë skuadër në plotë 258 ndeshje, ku kishte regjistruar 100 fitore, 81 barazime dhe 77 disfata.

Kadizi aktualisht mban vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit në La Liga me vetëm 14 pikë të grumbulluara në 20 javë kampionat, teksa pas tyre ndodhet vetëm Levante e Enis Bardhit dhe Shkodran Mustafit.

Leave a Reply