Kosova e nis me këmbë të mbarë, Berisha dhe Zhegrova mundin Qipron

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve. “Dardanët” e kanë mposhtur Qipron, me rezultat 2:0, në stadiumin “AEK Arena” në Larnaka, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e zbehtë, ku të përzgjedhurit e Alan Zhires arritën të kërcënojnë portën vendase vetëm në minutën e 45-të përmes Edon Zhegrovës. Megjithatë, në pjesën e dytë futbollistët e Kosovës u shfaqën shumë më këmbëngulës dhe krijuan raste të njëpasnjëshme. Ishte minuta e 65-të kur Valon Berisha me një gjuajtje të saktë jashtë 16 metërshit i zhbllokoi shifrat.

Ky gol erdhi pas asistimit të Vedat Muriqit, por merita të mëdha kishte edhe Edon Zhegrova, i cili depërtoi në zonë nga krahu i djathtë.

Edhe pas këtij goli “Dardanët” nuk u ndalën dhe arritën që në minutën e 78-të të gjejnë edhe golin e qetësisë. Realizues i golit doli të jetë Edon Zhegrova, i cili me të majtën e tij në manirin e golashënuesve të mëëdhejn realizoi për 0:2.

Pas përfundimit të ndeshjes, Zhegrova tha se golin i’a dedikon legjendës, presidentit të ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ndeshjen e rradhës Kosova e zhvillon të dielën kundër Greqisë, një rivale dukshëm më cilësore se sa Qipro, por në stadiumin “Fadil Vokrri”, Dardanët do ta kenë mbështetjen e madhe të tifozëve, ashtu që të dielën besojmë në fitoren e parë ndaj “helenëve”. (infOSport.mk)

Leave a Reply