Është mbyllur pa gola pjesa e parë e takimit midis FC Ballkanit dhe FC Shkupit, ndeshje kjoj e vlefshme për një vend në grupet e Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja që në këto momente po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nisi në mënyrën më të keqe për FC Shkupin, pasi që në minutën e dytë Xhelil Abdullah u ndëshkua me të kuq, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë në fushë. Ishte kjo një ngarkesë shtesë për skuadrën e Goce Sedlloskit, të cilit që në start iu prishën planet, ndërsa ishte Ali Adem që e ngushëllonte mbrojtësin tetovar, rrugës për në xhveshtore.
Nga goditja e lirë, të cilën e shkaktoi Abdullai, Korenica goditi vetëm pjesën e jashtme të rrjetës, ndërsa i njëjti tentoi edhe pak më vonë, sërish nga gjuajtja e lirë, por pa probleme për portierin Naumovski.
Edhe pse Ballkani sulmonte vazhdimisht në drejtim të portës së “pëllumbave” nga Çairi, Naumovski në asnjë rast nuk u rrezikua seriozisht, ndërsa në anën tjetër në minutën e 30-të, Cepas u rrëzua në zonën kundërshtare, mirëpo edhe përkundër protestave të mëdha të lojtarëve të FC Shkupit, penalti nuk pati, ndërsa nga e gjithë kjo e pësoi trajneri Gose Sedlloski, që u ndëshkua me të verdhë.
Rastin më të mirë për të kaluar në epërsi vendasit e patën në minutën e 40-të, kur Ermal Krasniqi edhe pse doli i vetëm para portierit Naumovski, nuk arriti që ta mposhtë, me ç’rast pjes e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Mbetet të shihet çfarë do të ndodh në pjesën e dytë, dhe nëse trajneri Sedlloski do të ndryshojë diçka në formacionin e tij, edhe pse pjesën e parë e mbylli me të njëjtit futbollistë, pavarësisht kartonit të kuq të Xhelil Abdulla që në minutën e dytë.
Kujtojmë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup, Ballkani kishte triumfuar me shifrat 2:1. (infOSport.mk)