Perishiç i befason të gjithë, rikthehet te Hajduku për të ndalur Dinamo Zagrebin!

Ivan Perishiç vetëm pas një viti do të largohet nga Tottenhami, te e cila skuadër u transferua verën e vitit të kaluar nga rradhët e Interit.

Edhe pse ka edhe një vit kontratë me “Spërsat”, një ndër lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares kroate ka zgjedhur të ndërpresë bashkëpunimin me klubin londinez.

Sky Sports shkruan se 34-vjeçari do të vijojë karrierën me Hajdukun e Splitit, skuadrën e tij të zemrës. Perishiç ishte rritur në akademinë e Hajdukut, por nuk ia doli kurrë të debutonte me ekipin e parë.

Ai nga kjo skuadër që në moshën 17-vjeçare ishte shitur në Francë te skuadra e Sosho për shumën e 360 mijë eurove në verën e vitit 2006.

Pasoi një aventurë në Belgjikë, me skuadrat si Roeselare dhe Klub Bryzh, para se në vitin 2011 të hedh hapin e madh në karrierën e tij, duke nënshkruar me një ndër skuadrat më të mira nga Bundesliga gjermane, Borusia Dortmund.

Pas “milionerëve”, ai luajti edhe me Volfsburgun, Interin, Bajernin e Munihut dhe së fundmi Totenhamin.

Perishiç numëron 127 ndeshje dhe 33 gola me kombëtaren e Kroacisë, ndërsa vlen të theksohet se gjatë karrierës së tij ka fituar disa tituj kampionë me Dortmundin, Interin dhe Bajernin e Munihut, me të cilën skuadër vitin 2020 kishte fituar edhe Ligën e Kampionëve.

“I kam premtuar vetes shumë kohë më parë se do të kthehem te Hajduku. Kalova shtatë vjet atje, pa mundur të debutoja në një ndeshje zyrtare. Rikthimi im duhet të ndodhë. Do të jetë së shpejti, megjithëse nuk e di saktësisht se kur”, deklaronte Perishiç kohë më parë.

Si duket momenti tashmë ka ardhur, pasi Perishiç po rikthehet në shtëpi, të debutojë me Hajdukun dhe të luftojë për titullin e kampionit me skuadrën me të cilën bën tifozllëk që nga fëmijëria e tij.

Perishiç me Hajdukun do të tentojë që ti bëjë ballë Dinamo Zagrebit dhe për herë të parë pas vitit 2005 të rikthejë titullin e kampionit në Split. (infOSport.mk)

Leave a Reply