Shkupjani Besir Iseni vazhdon me Dukagjinin, gati të luaj sonte ndaj Rijekës!

Besir Iseni ka gjetur skuadrën e tij të re, pas suspendimit nga ana e Federatës Shqiptare të futbollit, kur ky i fundit si pjesë e Tiranës në ndeshjen e parafundit të edicionit të kaluar kishte bërë një veprim jo të hijshëm, duke pështyrë personat zyrtarë të atij takimi, që në fund ishte mbyllur me barazim 2:2, duke i mohuar në ktë mënyrë titullin kampion skuadrës “bardheblu” nga kryeqendra shqiptare.

Iseni nga Komisioni Disciplinor pranë Federatës Shqiptare të futbollit ishte dënuar për dy vite, dhe rrugëdalja e vetme për të vijuar karrierën e tij futbollistike, ishte vetëm nëse ai do të ndërronte kampionat. Kështu i njëjti së fundmi ka pranuar ofertën e skuadrës së Dukagjinit nga Klina e Kosovës, me të cilën skuadër do të ketë mundësinë që sonte të luaj sërish në Ligën e Konferencës, aty ku dy vite më parë me fanellën e Struga Trim Lum kishte shënuar golin debutues në këtë kompeticion.

Emri i 23-vjeçarit Iseni figuron edhe në listën e futbollistëve të Dukagjinit të paraqitur në faqen zyrtare të UEFA-s.

Kujtojmë, Dukagjini në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ishte mundur minimalisht 1:0 nga Rijeka.

Takimi i sotëm në tokën kroate, e ku shpresat e Dukagjinit ende nuk janë shuar, starton në ora 20:15, e ku shpresojmë debutimin e tij me fanellën e skuadrës nga Klina ta ketë edhe shkupjani, Besir Iseni. (infOSport.mk)

Leave a Reply