Super lajm për Shkëndijën, Florent Ramadani gati për stinorin pranveror

Florent Ramadani tashmë një kohë më të gjatë po përgatitet individualisht, kjo për të vetmin qëllim që sa më i përgatitur të pret stinorin pranveror. Mesfushori i Shkëndijës ishte dëmtuar që në ndeshjen e parë të sezonit të ri në ndeshjen kundër Voska Sport në transfertë (06/08/2023), kur pas një starti të ashpër, kishte pësuar thyrje të tibias (ashtit të këmbës poshtë gjurit).

Pas kësaj, Florenti për 6 javë kishte mbajtur këmbën në gjips, mirëpo në ndërkohë kishte ndjekur të gjitha rekomandimet e ekipit mjekësor në fazën e rehabilitimit.

Duke qenë se gjendja e tij është përmirësuar dukshëm, Florenti javën e parë të muajit të kaluar kishte nisur me stërvitje më të lehta në terren, nën mbikqyrjen e trajnerit kondicional, Ivan Jovanovski.

Pikërisht Jovanovski ka qenë ai që ka kërkuar durim nga stafi teknik i “kuqezinjëve” për rikthimin e Florentit në fushat e blerta, kjo pasi bëhej fjalë për një prej lëndimeve më serioze për futbollistët.Edhe pse Florenti ishte stërvitrur me pjesën tjetër të skuadrës në dy javët e fundit të stinorit vjeshtorë, trajneri Nuhiu nuk kishte rrezikuar për ta futur në lojë.

Tashmë kur Florenti ka ngritur nivelin e përgatitjes fizike dhe gjithçka është në rregull edhe me këmbën e tij të lënduar, 23-vjeçari e sheh veten gati mu në momentin e duhur.

Derisa pjesa tjetër e skuadrës gjindet në pushim, Florenti për çdo ditë po vazhdon ende trajnimet nën mbikëqyrjen e trajnerit kondicional Ivan Jovanovski, i cili njëherit është edhe më i merituari që mesfushori “kuqezi” e kaloi me sukses këtë fazë rehabilitimi dhe se tashmë e sheh veten për të ndihmuar skuadrën në pjesën e dytë të sezonit.

Kujtojmë, Shkëndija e Tetovës pjesën e parë të sezonit 2023/24 e mbylli në pozitën e tretë me 35 pikë, 4 më pak se skuadra lidere e Struga Trim Lum.

Leave a Reply