Portieri Mustafi i thotë lamtumirë Renovës

Saladin Mustafi kishte filluar si i ri te Renova, ndërsa tash po largohet si një i pjekur, por aspak i kënaqur me mundësinë që ju dha sidomos dy viteve të fundit nga ana e klubit të tij të fëmijërisë, njofton “infOSport.mk”.

Pikërisht hapësira e vogël e dhënë nga ana e stafit teknik ka bërë që Mustafi ti thotë lamtumirë skuadrës së tij të zemrës, edhe pse realisht nuk kishte pritur se një gjë e tillë do ti ndodhte në një mënyrë të këtillë, duke pasur parasysh se kishte dhënë shumë për këtë klub.

“Arsyeja pse largohem është thjesht hapësira e vogël që më është dhënë nga ana e stafit teknik. Nuk më kanë vlerësuar aspak, edhe pse realisht kam dhënë shumë për këtë klub, të cilit ja kushtova pothuajse gjithë rininë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” portieri tetovar, Saladin Mustafi.

Ai sezonin 2016/2017 ishte titullar në vetëm një ndeshje, edhe atë në kuadër të xhiros së 31-të kundër Shkupit, në të cilën ndeshje Renova kishte shënuar fitore me rezultatin 2:1, ndërsa në sezonin paraprak 2015/2016, ai nuk kishte mbrojtur në asnjë ndeshje zyrtare, përveç se në ndeshjet miqësore.

Vitet e tij më të bukura te kjo skuadër, Mustafi i kishte kaluar në sezonet 2013/2014 dhe 2014/2015 kur kishte qenë titullar i padiskutueshëm, madje duke siguruar me Renovën edhe një vend për në garat e Liga Europa.

Mirëpo pikërisht ndeshjet në këtë kompeticion për Mustafin, rezultuan shumë negativisht, pasi rezultati në dy përballjet ndaj Dacias, bënë që portieri 24-vjeçar të humb vendin e titullarit.

“Ishin ato dy sezone të arta për mua. Isha titullar i padiskutueshëm, edhe pse asaj kohe konkurrent kisha një portier cilësor si Suat Zendeli. Megjithatë gjithçka ra në ujë pas ndeshjeve në Liga Europa, kur ndaj Dacias humbëm të dyja ndeshjet, ndërsa mua më fajësuan se kisha mbrojtur shumë dobët, edhe pse realisht kundërshtari ishte shumë më i fortë se ne” – u shpreh Mustafi.

Që nga ajo ndeshje e 09 korrikut të vitit 2015-të, Mustafi mbrojti në vetëm një ndeshje zyrtare me Renovën, të cilës skuadër tashmë pas plotë 12 viteve ka ardhur koha ti thotë lamtumirë.

Ai shpreson të gjejë ndonjë klub ku do ketë mundësinë që të tregojë cilësitë e tij, edhe pse për momentin nuk ka ndonjë ofertë konkrete në adresë të tij.

 

Leave a Reply