Angellovski me 3 shqiptarë kundër Shqipërisë

Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski, sonte ndaj Shqipërisë në Strumicë do të zbresë në fushë me formacionin e njëjtë, sikurse luajti edhe në ndeshjen ndaj Izraelit në Haifa.

Skema 3-5-2 do të jetë skema e tij e preferuar edhe ndaj “kuqezinjëve”, të cilët për dallim nga ndeshja me Lihtenshtejnin do të jenë më të fuqishëm në sulm, i cili sonte do të udhëhiqet nga Armando Sadiku.

Ky i fundit do të ketë për kundërshtarë ish shokun e tij nga Lugano, Ezgjan Alioski, i cili bashkë me Enis Bardhin do të përbëjnë mesfushën e Maqedonisë, bashkë edhe me Spirovskin, Niokolovin dhe Ristovskin, që do të luaj në krahun e djathtë.

Përveç Bardhit dhe Alioskit, shqiptari i tretë që do të luaj sot përballë Shqipërisë do të jetë qendërmbrojtësi Visar Musliu, i cili do të luaj edhe ndeshjen e dytë me përfaqësuesen e Maqedonisë, pas asaj ndaj Izraelit.

Ai në mbrojtje do të jetë bashkë edhe me Kire Ristevskin, ish futbollistin e Tiranës si dhe Darko Velkovskin, ndërkohë në portë do të jetë Stole Dimitrievski. Sulmi i “verdhekuqve” edhe sonte do të flet italisht, pasi ai do të udhëhiqet nga futbollisti i Xhenoas, kapiteni Goran Pandev, si dhe ai i Palermos, Ilija Nestorovski.

Për këtë ndeshje Angellovski nuk do të mund të llogarisë vetëm në shërbimet e Elif Elmaz, për shkak kartonëve, futbollist ky i cili në ndeshjen me Izraelin, në mënyrë të shkëlqyer asistoi në golin e vetëm të shënuar nga ana e Goran Pandev.

Ndeshja Maqedoni-Shqipëri që do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë starton në ora 20:45.

Leave a Reply