Rrëfehet Adebajor: Kam dashur të vras veten

Emanuel Adebajor pa dyshim se është një ndër emrat e njohur në futbollin evropian dhe atë botëror. Futbollisti nga Togo aktualisht luan në Superligën turke me skuadrën e Istanbul Bashakshehir, ndërsa shumica e njohin nga koha kur ai luante në Premierligën angleze me skuadrat e Arsenalit, Mançester Sitit dhe Totenhamit.

Padyshim që të luash në këto nivele të jep shumë jehonë sa i përket emrit të futbollistit në fushën e lojës.

Situata për sulmuesin në fjalë nuk ka qenë “parajsë” gjithmonë, përkundrazi, jeta i ka servirur shpeshherë dy ekstremet e saj. Nga një person i cili e nis jetën duke dëshiruar shpeshherë të vetëvritet, në personin e njohur në gjithë botën e futbollit. Një rrëfim shokues ka ardhur nga ana e Adebajor sa i përket të shkuarës së tij në revistën franceze “So Foot”:

“Situata ime më ka bërë mua shpeshherë të dëshiroj të vetëvritem, në situata të caktuara. Ajo që dua të them është se nuk mundet ta kuptoni se sa e vështirë është kur ti punon shumë për të nxjerrë familjen nga varfëria dhe ata të sulmojnë ty. Vëllai im më i ri u manipulua nga familja ime. Prindërit më telefonojnë tani por jo për të më pyetur sesi jam unë, por për të më kërkuar para. Ata më telefonojnë për të më kërkuar dhe pyetur çdo gjë që ka lidhje me paratë, pa më pyetur sesi unë ndihem. Unë shpeshherë e ndërroj numrin tim vetëm për të mos kontaktuar me ta”, – ka thënë Adebajor.

Sulmuesi togolez pjesë e Bashakshehir është nga fundi i janarit të këtij viti, ndërsa në 21 ndeshje të zhvilluara në Superligë ka shënuar 10 gola, 4 prej të cilëve gjatë këtij edicioni, në të cilin skuadra e tij sërish figuron lartë në renditje, duke u pozicionuar në vendin e dytë menjëherë pas Galatasarajit.

Leave a Reply