Imperatori rikthehet në krye të Galatasarajit

Trajneri legjendar Fatih Terim sërish do të drejtojë klubin e tij të zemrës, Galatasaraj. Lajmin e ka konfirmuar vetë imperatori në profilin e tij në “Tëitter”. Strategu 64-vjeçar në këtë post zëvendëson kroatin Igor Tudor, i cili ditë më parë u shkarkua nga ana e drejtuesve të skuadrës nga Stambolli.

Do të jetë kjo hera e katërt që Terim merr drejtimin e skuadrës së njohur turke. Ai në Superligën turke ka fituar 6 tituj kampion i Turqisë, ndërsa gjithashtu ka edhe dy trofe në kuadër të Kupës.

Suksesin më të madh me Galatasarajin e arriti në vitin 2000, kur kishte triumfuar në Kupën e UEFA-s.

Nga viti 2013-të Fatih Terim udhëhoqi kombëtaren e Turqisë, mirëpo u largua gjatë muajit korrik, para ndeshjeve të fundit në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”.

Galatasaraj aktualisht renditet në pozitën e tretë në renditjen e Superligës turke, ku pas 16 xhirove ka tubuar 32 pikë, njëjtë sikurse edhe skuadra e dytë në tabelë, Fenerbahçe, ndërsa vallën e udhëheq Istanbul Bashakshehir, që ka një pikë më shumë.

Leave a Reply