Vëllazërimi me emra të rinj edhe në kryesinë e saj

Kampionët e dimrit në Ligën e Dytë – Perëndim, Vëllazërimi dëshiron që edhe në fund të sezonit aktual të mbetet në pozitën e njëjtë dhe të bëjë ëndërrën realitet, duke u inkuadruar në mesin e më të mirëve, njofton “infOSport.mk”.

Kësisoj përveç prurjeve të reja në skuadër, risi janë edhe emrat e rinj në kryesinë e këtij klubi, ku kryetari aktual Blerim Sadiku, ka emëruar drejtor të ri sportiv dhe teknik. Prej sot rolin e drejtorit sportiv të Vëllazërimi do të luaj shkupjani, Isak Arifi, ndërsa në rolin e drejtorit teknik është emëruar Ruzhdi Aliu.

“Unë realisht në këtë post jam që nga muaji gusht i vitit të kaluar, mirëpo sot edhe kemi marrë edhe zyrtarisht postet nga kryetari Blerim Sadiku. Falënderoj këtë të fundit për besimin e dhënë, ndërsa gjithë neve së bashku tashmë na pret një punë e madhe. Qëllimi i skuadrës sonë është inkuadrimi në ligën e parë, ndërsa paralelisht do të punojmë edhe në rregullimin e infrastrukturës, internatit pranë stadiumit, restoranit, press qendrës, dhomave të xhveshjes, antidoping dhomave dhe të gjitha kushteve tjera që janë pjesë përbërëse e një klubi europian. Ju bëjmë thirrje gjithë kërçovarëve të jenë pranë klubit si çdoherë dhe të jenë pjesë përbërëse e projektit tonë për një Vëllazërim europian” – tha enkas në prononcimin e tij për “infOSport.mk” drejtori i sportiv i Vëllazërimit të Kërçovës, Isak Arifi.

Ditëve në vijim pritet që emërohen edhe emra të rinj në postin e Drejtorit të Akademisë, sekretarit të klubit si dhe skaut të ekipit, të cilët do të bëjnë përzgjedhjen e futbollistëve të rinj, për të cilët do të ketë nevojë skuadra.

Rikujtojmë Vëllazërimi pjesën e parë të sezonit në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim e mbylli në pozitën e parë me 25 pikë, po aq sa ka edhe Gostivari në pozitën e dytë, ndërsa pas tyre me 24 pikë renditet Struga.

Leave a Reply