Juventus Serava kualifikohet në gjysmëfinale, eliminoi Futsal Shkupin

Sonte në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen e Seravës dy skuadrat shqiptare, Juventus Serava dhe Futsal Shkupi u takuan mes tyre në kuadër të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Maqedonisë në futsal, njofton “infOSport.mk”. Kualifikimit të mëtejshëm iu gëzua skuadra “bardhë e zi”, që në fund regjistroi fitore me rezultatin 5:4.

Pjesa e parë u mbyll me barazim 1:1, ku të parët që iu gëzuan golit ishin “bardhekaltërit” që shënuan me anë të tetovarit Ismet Ceka, teksa “bardhezinjtë” barazuan me anë të Samir Veliut.

Fillimi i pjesës së dytë i takoi Futsal Shkupit, që me dy gola të shpejtë të shënuar nga ana e Ivan Sotirovskit avansoi me rezultatin 3:1.

Ish futbollisti i Futsal Shkupit Berat Ramadani ngushtoi epërsinë e ekipit mysafir në 3:2, teksa Jakup Ramadani barazoi shifrat në 3:3. Lojtari i talentuar i Juventus Seravës, Erkan Shabani për herë të parë kaloi në epërsi ekipin “bardhë e zi” duke shënuar për 4:3, ndërkohë Ismet Ceka

me golin e dytë personal barazoi sërish rezultatin 4:4, transmeton “infOSport.mk”.

Fitoren dhe kualifikimin për në gjysmëfinale Juventus Seravës ia siguroi Eljesa Neziri, një tjetër lojtar i ardhur nga Futsal Shkupi te skuadra “bardhezi”, e cila në këtë mënyrë shndërrohet në një ndër kandidatët kryesor për të fituar Kupën e Maqedonisë në futsal, duke pasur parasysh se më herët në 1/8 e finales ishte eliminuar edhe Velesi.

Leave a Reply