Edhe pas dy disfatave turpëruese, Duka konfirmon Panuçin në krye të Shqipërisë

Tre humbje rradhazi në krye të përfaqësueses së Shqipërisë, mirëpo kjo nuk do e pengon Kristian Panuçin të vazhdojë të ushtrojë detyrën e trajnerit kryesor te Kombëtarja shqiptare e cila të dielën përjetoi edhe një disfatë tjetër të rëndë, pas asaj ndaj Kosovës.

“Kuqezinjtë” u turpëruan nga Ukraina, 1:4, ndërsa vetëm 6 ditë më parë ata kishin pësuar edhe një disfatë tjetër turpëruese nga përfaqësuesja e Kosovës (0:3). Nëse i shtojmë këtu edhe disfatën minimale 0:1 të 26 marsit në “Elbasan Arena” nga Norvegjia, janë gjithsej tre disfata rradhazi për ekipin e Panuçit, i cili megjithatë do të vazhdojë në krye të bankinës “kuqezi”.

Konfirmimi vjen nga numri një i Federatës Shqiptare të  Futbollit, Armand Duka, i cili mendon se trajneri ka ende nevojë për kohë.

“Duhet t’i japim kohë Panuçit dhe skuadrës. Trajneri ka përgjegjësitë e tij, por nuk mund t’i adresohen të gjitha përgjegjësitë atij”, ishin fjalët e Dukës për “Panorama Sport”, qartësisht duke kaluar në pjesë të madhe të fajit te lojtarët.

Megjithatë, duket e çuditshme që Duka kërkon kohë, pasi Panuçi kishte një vit kohë për të përgatitur ekipin për Ligën e Kombeve, ku ndeshjen e parë do ta zhvillojë në shtator, ndërsa me një qasje të këtillë të ekipit është shumë e vështirë të presim rezultate pozitive.

Leave a Reply