“Serie A” rikthehet fuqishëm në merkato, mbi 1 miliard euro shpenzime këtë verë

“Serie A” ka nisur të ndiejë efektin Kristiano Roanldo shumë shpejtë, duke bërë gjithashtu një hap më tej përpara drejt rikthimit mes më të ndjekurve e më të lakmuarve, për futbolldashësit dhe futbollistët nga e mbarë Bota.

Për të dytin vit radhazi është tejkaluar shuma e një miliard eurove të investuara nga ana e klubeve italiane për afrimin e futbollistëve të rinj, duke mbetur i vetmi kampionat mes 5 më të rëndësishmëve të Europës që i përafrohet shpenzimeve marramendëse të ekipeve të Premierligës angleze.

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga fundi i sesionit veror të kësaj merkatoje, klubet e “Serie A” kanë shpenzuar 1 miliard e 5.9 milionë euro, shifër që gjithsesi mund të ndryshojë deri në orën 20:00 të mbrëmjes së të premtes, e që mund të tejkalojë atë të verës së kaluar, kur u shpenzuan 1 miliard e 37.73 mln euro.

Gjatë kësaj vere skuadra nga Premierliga angleze kanë shpenzuar 1 miliard e 400 milionë euro, ndërsa shumë më mbrapa mbeten La Liga spanjolle me 778 milionë euro, Bundesliga gjermane me 447 milionë euro dhe në fund “Ligue 1” e Francës me 405 mln euro.

Pjesën më të madhe të të hollave e ka shpenzuar skuadra kampione e Italisë, Juventusi, plotë 234.9 mln euro në total, duke përfshirë këtu edhe 40 milionët e derdhura në arkën e Bajern Munih për blerjen e kartonit të Daglas Kostas.

Një shifër e frikshme kjo, nëse krahasohet me të ardhurat e Napolit për vitin 2017 prej 200.7 mln eurosh sipas “Deloitte” dhe ato të Romës, prej 175 mln eurosh.

Dy blerjet më të kushtueshme të kësaj vere në Itali janë pikërisht ato të bëra nga Juve, mbi 100 mln euro për Ronaldon dhe 40.4 mln të investuara për Kanselon. Objektivi mbetet tejet i qartë dhe i deklaruar prej kohësh, trofeu i Ligës së Kampionëve.

Sa u përket rivalëve të tjerë, sinjale të rëndësishme kanë dhënë thuajse të gjithë, që objektiv parësor kanë ngushtimin e hendekut me “bardhezinjtë” nga Torino.

Roma dhe Napoli mbajnë aktualisht vendet e tjera të podiumit. Verdhekuqtë kanë shpenzuar 112.95 mln euro për 12 blerje në total, përfshirë këtu edhe përforcimin e fundit të ardhur nga Sevilja, francezin N’Zonzi, ndërsa Napoli ka shpenzuar plot 95.5 mln euro, që ndahen respektivisht 30 për Fabian Ruiz, 25 për Meret, 23+2 për Verdin dhe 12 për Malkuit.

Pasojnë më tej dy skuadrat e Milanos, Interi me 85.5 mln euro dhe Milani me 81 mln euro. Por, shifrat e këtyre dy ekipeve do të ishin shumë më të larta, po të kihet parasysh shpenzimet që parashikohen për “të drejtat e blerjes përfundimtare” të lojtarëve të tillë si Vrsaljko (6.5+17.5), Keita (5+34), Politano (5+20), Bakajoko (5+35) apo Higuain (18+36).

Menjëherë pas 5 emrave të mëdhenj të futbollit italian renditet Torino, që ka shpenzuar 49 mln euro për përforcimet, si Izzo apo Meite për të cilët ka paguar nga 10 mln euro, sikurse edhe Niang nga Milani për 12 mln euro.

Pas Torinos vjen Lacio me 43 mln euro, Xhenoa me 40.2 mln euro dhe Udinese me 36 mln euro. Më poshtë keni listën e shpenzimeve të të gjitha skuadrave në “Serie A”, si dhe transferimet më të shtrenjta të bëra gjatë kësaj merkatoje.

Renditja e skuadrave të “Seria A”  sipas shpenzimeve
1. Juventus 234,9
2. Roma 112,6
3. Napoli 95,5
4. Inter 85,5
5. Milan 81
6. Torino 49
7. Lazio 43
8. Genoa 40,2
9. Udinese 36
10. Atalanta 33
11. Bologna 31,8
12. Fiorentina 31,5
13. Sampdoria 31,1
14. Sassuolo 30,7
15. Cagliari 22,5
16. Empoli 14,7
17. Parma 12,7
18. Spal 9,95
19. Chievo 6,55
20. Frosinone 3,7

 

 

Transferimet më të kushtueshme drejt Serie A gjatë verës deri më tani:
1. Cristiano Ronaldo 100 milioni (nga Real Madrid te Juve)
2. Joao Cancelo 40,4 (nga Valencia te Juventus)
3. Radja Nainggolan 38 (nga Inter te Roma)
4. Leonardo Bonucci 35 (nga Milan te Juve) e Mattia Caldara 35 (nga Juve te Milan)
5. Fabian Ruiz 30 (nga Betis te Napoli)
6. Steven N’Zonzi 26,65+4 di bonus (nga Sevilla te Roma)
7. Alex Meret 25 (nga Udinese te Napoli)
8. Javier Pastore 24,7 (nga PSG te Roma)
9. Simone Verdi 23+2 (nga Bologna te Napoli)
10. Lautaro Martinez 22+3 (nga Racing te Inter)

Leave a Reply