Dy skuadra austriake në ndjekje të qendërmbrojtësit kumanovar, Shenur Neziri

Paraqitjet e mira me fanellën e Goblen Junior të qendërmbrojtësit Shenur Neziri, kanë bërë që për shërbimet e kumanovarit 28-vjeçar të interesohen dy skuadra austriake. Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se një ndër skuadrat që dëshiron të marrë në rradhët e veta, Nezirin, është skuadra e Nojshtad, pjesë e së cilës është edhe bomberi shqiptarë, Hamdi Salihi, si dhe skuadra e St.Polten, surpriza më e këndshme e futbollit elitarë austriak në sezonin e ri, ku pas 6 xhirove të para renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas Salzburgut.

Shenur Neziri edhe më parë ishte pjesë e futbollit austriak, ku për tre vite me rradhë (2013-2016) kishte  mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Sv Albania Austria, ndërsa dy vitet e fundit me mjaft sukses po mbron ngjyrat e Goblen Junior, me të cilën skuadër vitin e kaluar arritën suksesin më të madh në histori, duke u kualifikuar për herë të parë në Ligën e Dytë.

Neziri kualitetet e tij po i dëshmon edhe në Ligën e Dytë, ku po shfaqet si një komandant i vërtetë në mbrojtjen e Goblen Junior, skuadër kjo e cila me të në mbrojtje ndjehet shumë më e sigurtë dhe në tre xhirot e para ka pranuar vetëm një gol. Mbetet të shihet nëse një transferim i këtillë do realizohej gjatë merkatos së janarit, ndërsa kuptohet se për një gjë të tillë qendërmbrojtësi kumanovar do të vendos së bashku edhe me menaxherin e tij, Ylber Neziri.

Foto: Goblen Junior

Leave a Reply