Ledri Vula nënkryetar i Prishtinës, tifozët tallen: Merrni Linda Morinën drejtoreshë sportive

Presidenti i klubit Z Mobile Prishtina në prag të ndeshjes kualifikuese për Ligën e Kampionëve me kampionin holandez “Donar Groningen”, ka bërë të ditur se reperi i njohur kosovar, Ledri Vula, është emëruar nënkryetar i klubit.

Presidenti i klubit Blerand Stavileci, ka prezantuar Vulën në një konferencë për medie, duke thënë se kanë pasur dëshirë që sivjet t’i mbledhin afër klubit edhe njerëz të suksesshëm të njohur në fusha të tjera që lidhen me basketbollin.

“Për neve si klub që po rritemi është kënaqësi që një djalë i suksesshëm si Ledri t’i bashkohet një njishi tjetër, siç është Z mobile Prishtina”.

“Nesër e kemi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe po mundohemi që në aspektin organizativ të jemi në nivelin më të lartë. Ka me qenë spektakël edhe jashtë parketit, sepse kemi forcu ekipin”.

E disa prej tifozëve të Prishtinës janë tallur me këtë lëvizje të Prishtinës.

Pati prej tyre që e propozuan këngëtaren Linda Morina si drejtoreshë sportive, përcjellë Gazeta Olle.

Stavileci ka thënë se klubi kundërshtar është serioz dhe mjaft i përgatitur, por është shprehur optimist se do t’i mposhtin nesër.

“Klubi është kampion i Holandës, është ekip serioz atje. Ekip shumë i mirë. Përparësia e tyre ndaj neve është që kanë nisur më herët. Në kushte normale ne kemi pak më shumë kualitet se ata, por edhe kështu si jemi mundemi me i befasu, nuk është e lehtë. Me gjithë respektin për futbollin, neve na vijnë kampionë shtetesh e jo ekipe gjysmëprofesioniste si Gjilbratari”.

Ai ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve, pasi tha se ekipi i tyre është një lloj përfaqësueseje.

Ndërsa Ledri Vula është shprehur i lumtur me detyrën e tij prej nënkryetari, derisa ka ftuar të rinjtë që të merren më shumë me basketboll.

“Faleminderit Blerand për idenë. Prej momentit kur më ke tregu për të ardhmen, 100 për qind kam qenë për. Tash fatmirësisht po kemi salla, përpara s’kemi pasë salla. Kisha pasë qef që rinia me gjetë kohë për me ia kushtu topit, për shëndetin është e mirë, por edhe për shtetin”.

“Me aq sa e di kam me qenë këtu dhe me investu në të ardhmen e basketit. Andërr e kam pasë me lujtë një lojë të paktën në ligë të parë, por kam vazhdu me muzikë. Më ka marrë malli për erën e sallës së Bororamizit”.

Ndeshja mes Z Mobile Prishtinës dhe kampionit holandez “Donar Groningen” zhvillohet nesër nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Leave a Reply