Liga e Kampionëve rikthehet më sfida joshëse

Pas një mungese dy javore, rikthehet Liga e Kampionëve. Në ndryshim nga takimet e para të grupeve, këto të javës së dytë sjellin përballje më të lehta në letër sa i përket ekipeve të mëdha.

Ditën e martë do të zbresin në fushë skuadrat e Grupit “E”, “F”, “G” dhe “H”. Dy ndeshje do të zhvillohen, sipas tashmë ndryshimeve të këtij edicioni sa i përket orarit, në orën 18:55.

Bëhet fjalë për ndeshjet Hofenhajm-Mançester Siti dhe Juventus-Jang Bojs. Skuadra e Guardiolës, pas hapit fals në Angli përballë Lionit, kërkon 3 pikët e para në grup, ndërkohë në anën tjetër në Torino, Juventusi do të zbresë në fushë pa Kristiano Ronaldon, i skualifikuar për epsiodin në “Mestalja” ku me Valencian u ndëshkua me të kuq.

Përballë kampionëve në fuqi të Zvicrës, Jang Bojs, do të jetë sërish radha e Mario Manxhukiç, që po kalon momente fantastike, teksa duhet parë edhe gjendja e Paulo Dybalas, që ndaj Napolit mori një goditje në kavilje. Jashtë kombinimit mbetet edhe Daglas Kosta, mirëpo edhe përkundër këtyre mungesave “bardhezinjtë” duan një tjetër fitore për të konsoliduar kreun e grupit.

Ne po të njëjtin grup, në fushë do të zbresë edhe Mançester Junajtedi, që vjen nga një situatë e tensionuar, mes toneve të larta, polemikave, stolit të lëkundur të Murinjos dhe luftës së hapur mes tij dhe yllit të skuadrës, Poll Pogba.

Junajtedi në “Old Trafford” do të mirëpret Valencian, që humbi me Juven në sfidën e parë.

Në Grupin “G”, Roma duhet të kthehet te suksesi pas humbjes me Real Madridin. “Ujkesha romake” përballë do të ketë surprizën e madhe Viktoria Plzen, ndërsa “galaktikët” do të udhëtojnë në Moskë për tu përballur me CSKA-në.

Në Grupin “E”, Bajern Munih do të përballet me Ajaksin, që kryeson grupin pasi fitoi takimin e parë ndaj AEK-ut 3-0, skuadër kjo që në anën tjetër do të mirëpret Benfikën.

Leave a Reply