Osmani: Përgëzoj lojtarët për fitoren, shpresoj të vazhdojmë me këtë rritëm

Shkëndija ka vazhdaur serinë e fitoreve në kampionat, që tashmë sheh këtë skuadër në pozitën e parë në renditjen tabelare. Fazli, Emini dhe Alimi shënuan golat në fitoren 3:0 përballë Shkupit në ndeshjen e javës së 13-të, në të cilën skuadra luajti pa bomberin kërçovarë, Besart Ibraimi dhe brazilianin Stenio Zhunior, që të dy të lënduar.

Trajneri Qatip Osmani pas ndeshjes ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës që sipas tij realizoi në përpikmëri atë që kishin përgatitur si strategji para lojës.

“Ishte lojë bindëse, taktikisht shumë e disiplinuar që rezultoi me tre gola. Përgëzoj lojtarët për fitoren dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë rritëm”, – tha shefi i stafit teknik, i cili potencon se mungesat në formacion kishin ndikuar që kjo përballje të pritej me kujdes për të mos lejuar befasi.

“Sigurisht se para kësaj ndeshje ishim të kujdesshëm meqë pasonte përballje me një ekip si Shkupi, që vlerësoj se gjendja e tyre në tabelë nuk jep pasqyrë reale për cilësinë që posedojnë. Plus kësaj mungesa e Besartit dhe Zhuniorit ishte normale që na bënte të jemi të kujdesshëm për këtë ndeshje. Megjithatë edhe zëvendësimet që bëmë treguan se kanë kualitet dhe mendoj se Shkëndija posedon lojtarë cilësorë që mund të zëvendësojnë jo vetëm Besartin dhe Zhunin por edhe tjerët.”

Shkëndija me 28 pikë tashmë ndanë bashkë me Vardarin pozitën e parë, skuadër kjo që sot barazoi 1:1 në ndeshjen si vendas ndaj Bellasicës, teksa FC Shkupi mbetet në pozitën e parafundit me vetëm 12 pikë të tubuara në 13 javë.

Leave a Reply