Liga Europa, kualifikohen Çelzi, Napoli dhe Valencia (VIDEO)

Tre skuadrat favorite, Çelzi, Napoli dhe Valencia kanë arritur të sigurojnë një vend për në ndeshjet çerekfinale të Liga Europa. Dy skuadrat e para kishin siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë pas fitoreve 3:0, ndërsa sot vetëm se vulosën një gjë të tillë.

Më shumë probleme pati Valencia. Skuadra spanjolle siguroi një barazim në Rusi përballë Krasnodarit dhe avancoi më tej, vetëm falë fitores 2:1 në ndeshjen e parë  në “Mestalja”.

Çelzi nuk u përmbajt edhe sonte në Kiev, madje duke shënuar fitore edhe më të thellë ndaj Dinamos vendase. Skuadra e Sarrit shënoi fitore 5:0, duke u kualifikuar më tej me rezultatin e përgjithshëm 8:0.

Sulmuesi francez, Oliver Zhiru ishte “heroi” i ndeshjes me tre gola të shënuar, ndërsa Markos Alonso dhe Hudson Odoi shënuan dy golat e tjerë për “blutë” e Londrës.

Napoli u mposht në Austri nga Salzburgu me rezultatin 3:1, mirëpo  megjithatë vazhdoi për në fazën tjetër, kjo falë fitores 3:0 në ndeshjen e parë në “San Paolo”. Milik kaloi italianët në avantazh që në minutën e 14-të, ndërsa Salzburgu barazoi me anë të Daburit në pjesën e parë.

Vendasit shënuan golin e dytë me anë norvegjezit Gulbrandsen në mesin e pjesës së dytë, ndërsa Salzburgu shënoi dhe golin e tretë në kohën shtesë me anë të Leitgeb.

Një dramë e vërtetë ndodhi në Rusi në ndeshjen midis Krasnodarit dhe Valencias. Skuadra vendase e Krasnodar golin e avantazhit në këtë përballje e realizoi në minutën e 85-të me anë të Sulejmanov, mirëpo kur rusët po përgatiteshin për festë, një gjë të tilla nuk ua lejoi portugezi Guedes, i cili në minutën e 93-të shënoi golin e barazimit dhe i siguroi kualifikimin Valencias, kjo falë fitores 2:1 në ndeshjen e parë në “Mestalja”.

Leave a Reply