Dëshmori Remzi Osmani fitues i turneut “Juventus Serava”

Dëshmori Remzi Osmani ëshët fituesi i edicionit të dytë të turneut në futsal “Juventus Serava”, njofton “infOSport.mk”. Ekipi nga Sllupçani që nderoi heroin kombëtar, në finalen e madhe mundi ekipin shkupjan, Arben Bajrami, një figurë tjetër kjo e shquar e luftës së 2001-it, që njëherit këtë turne e kishin fituar vitin e kaluar.

Finalja e zhvilluar në palestrën “Enver Idrizi” tuboi shumë tifoz dhe emra të njohur sportiv, përfshirë këtu edhe kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili është një përkrahës i madh i ngjarjeve të këtilla sportive, ndërsa organizatorët kishin përgatitur edhe shpërblime për tifozët e pranishëm.

Ndryshe ndeshja finale i përmbushi të gjitha pritjet, pasi dhuroi shumë emocione, spektakël dhe lojë fer dhe korrekte.

Pjesa e parë foli në të mirë të ekipit të Arben Bajramit (2:1), megjithatë kur në ekip ke lojtarë të tipit si Narcis Alibegu dhe Metor Mezini, anëtarë të kombëtares shqiptare në futsal, atëherë kthesat janë të mundura, ndërsa një gjë të tillë bënë lojtarët e ekipit të Remzi Osmani, që në të dytën shënuan 3 gola, duke shënuar në fund fitore me rezultatin 4:3.

Në finalen e vogël të zhvilluar për vendin e tretë, ekipi shkupjan nga lagjja e Shuto Orizares, “Dream Team”, mundi ekipin e Restoran Fontana, transmeton “infOSport.mk”.

Në fund organizatorët ndanë shpërblime edhe për lojtarin më të mirë të turneut, që u zgjodh një tjetër reprezentues i Shqipërisë, shkupjani Eljesa Neziri, epiteti i golashënuesit më të mirë i takoi Ilaz Çilafit, ndërkohë Shkodran Neziri u zgjodh portierë më i mirë i turneut të dytë të organizuar nga “Juventus Serava”, drejtuesit e së cilës për ekipin fitues ndanë një shumë prej 1000 euro, vendin e dytë 500 euro dhe vendin e tretë 250 euro.

Leave a Reply