Qazim Laçi me Ajaçion e tij fitojnë derbin ndaj Lorient, shohin me sy drejt Ligue 1 (VIDEO)

Qazim Laçi vazhdon të jetë një nga elementët më të rëndësishëm për skuadrën e Ajaios në Ligën 2 të Francës, duke e ndihmuar të njëjtën drejt objektivit, ngjitjen në Ligue 1.

Ish-kapiteni i përfaqësueses shpresa të Shqipërisë, të shtunën ka lënë shenjën e tij në suksesin 1:0 të ekipit të tij Ajaçio ndaj Lorient, skuadrës që kryeson renditjen e që tashmë e ka vetëm 2 pikë larg.

Në fillimin e pjesës së dytë të sfidës, Laçi harkoi një goditje nga këndi me një skemë duke çuar topin në shtyllën e parë. Bajala përfitoi dhe me një goditje të shkëlqyer me thembër dërgoi topin në rrjetë për të shënuar atë që do të ishte goli i vetëm i ndeshjes derbi të javës së 28-të në Ligue 2.

Pas kësaj fitore Ajaçio e Qazim Laçit numëron 52 pikë, vetëm dy më pak se Lorient i vendit të parë.

Për 24-vjeçarin Laçi, ishte ky asisti i katërt në këtë sezon, ku ka zhvilluar gjithsej 27 ndeshje dhe ka realizuar 3 gola shumë të rëndësishëm për ekipin, që i ka besuar atij fanellën me numrin 10 e shpeshherë edhe shiritin e kapitenit.

Leave a Reply