Kukësi lëshon “bombën”, prezanton Agim Ibraimin

Agim Ibraimi, i cili së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës, ka zgjedhur të vijojë karrierën e tij në Shqipëri, duke nënshkruar me nënkampionët e Kukësit, njofton “infOSPort.mk”.

Lajmi është zyrtarizuar nga klubi kuksian që përmes një njoftimi në kanalin zyrtar bën me dije se tetovari ka firmosur një kontratë që e lidh me Kukësin për dy vitet e ardhshme.

Me një karrierë të pasur futbollistike, padyshim që Ibraimi mund të cilësohet si goditja e verës nga klubet e Superligës shqiptare.

Ai gjatë karrierës së tij kishte arritur të luaj edhe në “Serie A” me ekipin e Kaljarit, ndërsa sukseset më të mëdha i kishte arritur me ekipin e Mariborit në Slloveni, aty ku gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Olimpija Ljubljanës, Nafta 1903 dhe Domzhale.

Ndryshe karrierën e tij e kishte nisur te Shkëndija e Tetovës, nga e cila në vitin 2006 ishte transferuar në Austri te skuadra e Red Bull Salzburg, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Turqi me Eskishehirsporin dhe në Kazakistan me Astanan.

Në karrierën e tij si futbollist, Ibraimi ka fituar 4 tituj kampion në Slloveni, një titull në Maqedoninë e Veriut dhe 2 Kupa Sllovenie.

Sa i përket aspektit personal, Ibraimi është shpallur 3 herë futbollisti i vitit në Maqedoninë e Veriut dhe ka luajtur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh në Ligën e Kampionëve dhe Liga Europa.

Ai gjithashtu një kohë të gjatë mbronte ngjyrat e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, për të cilën numëron 39 ndeshje dhe 7 gola të shënuar, transmeton “infOSport.mk”.

Ibraimi do të bashkohet të hënën në stërvitje me ekipin e Kukësit, drejtuesit e së cilës skuadër shpresojnë që këtë vit do të arrijnë qëllimin për tu shpallur kampion të Shqipërisë.

Leave a Reply