Altin Lloga, goleadori i Konferencës së Perëndimit që po shkëlqen me Veleshtën

Veleshta pas 20 vitesh u rikthye në Ligën e Dytë, aty ku pas 8 xhirove të para figuron lartë në renditjen tabelare, kjo falë edhe njeriut të momentit, Altin Lloga, i cili thjeshtë po shkëlqen me fanellën e skuadrës nga Struga, duke ndihmuar këtë skuadër me golat e tij, shkruan “infOSport.mk”.

Altin Lloga në 7 ndeshje sa ka qenë prezent, ka shënuar 6 gola, duke udhëhequr në këtë mënyrë edhe listën e golashënuesve në Konferencën e Perëndimit. Dëshira e tij është që edhe në fund të sezonit të mbetet në krye të listës së golashënuesve.

“Aktualisht jam i pari në listën e golashënuesve, ndërsa besoj se edhe në fund të sezonit të jem në krye” – tha fillimisht Altin Lloga, i cili foli edhe për ambiciet e klubit.

“Ambiciet e klubit në fillim ishin që të mbijetojmë, por me ardhjen time ndihet më shumë presion për të qenë edhe në pozitat e para. Jam i kënaqur me performancat e mia, por shpresoj të vazhdojë me këtë ritëm, ndërsa në merkaton e janarit me disa ndërhyrje mund të shndërrohemi në një skuadër konkurruese me ekipet që pretendojnë pozitat e para. Kemi sponzor serioz dhe kryesi që na mbështet, ashtu që besoj shumë në këtë skuadër” – deklaroi enkas për “infOSport.mk”, Altin Lloga, i cili foli edhe për ndeshjen e nesërme kundër Vardarit të Forinës.

“Ne në çdo ndeshje kemi objektiv fitoren, ashtu që edhe në ndeshjen e nesërme pretendojmë të marrim 3 pikët e plota” – përfundoi Lloga.

Veleshta në 8 javët e para ka tubuar 15 pikë dhe aktualisht mban pozitën e dytë në renditje, menjëherë pas liderit aktual, Gostivarit.

Leave a Reply