Milani nuk fiton sërish ndaj Lille, Arsenal, Leçester dhe Hofenhajm kualifikohen më tej (VIDEO)

Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e orës 18:55 në kuadër të Liga Europa, me ç’rast kemi mësuar edhe ekipet e para që kanë siguruar raundin e dytë të këtyre garave. Dy xhiro para mbylljes së fazës në grupe, dy skuadrat angleze, Arsenal dhe Leçester Siti, si dhe skuadra gjermane e Hofenhajm, kanë siguruar kualifikimin për në fazën eliminuese të këtij kompeticioni.

Në ndeshjen që pritej me shumë entuziazëm, Milani nuk ia doli sërish të mposhtë francezët e Lille. Sfida e grupit “H” e luajtur në Itali përfundoi 0:3 për miqtë, teksa dueli i sotëm në Francë u mbyll në barazim 1:1.

Të dy golat u realizuan në pjesën e dytë. Skuadra italiane kaloi e para në avantazh. Minuta e parë e fraksionit të dytë të ndeshjes, pasim shumë i bukur i Sandro Tonalit për Ante Rebiç dhe asist i kroatit për Samu Kastiljeho, që nuk e pati të vështirë të shënojë nga afërsia.

Mirëpo avantazhi i “kuqezinjëve” vetëm 19 minuta. Xhonatan Bamba mposhti Donarumën me një goditje të saktë, duke evituar humbjen e Lille.

Sfida tjetër e këtij grupi mes Sparta Pragës dhe Seltikut u mbyll me shifrat 4:1 për ekipin çek, që futet në garë për dy pozitat e para.

Lille kryeson grupin me 8 pikë, një më shumë se Milani i vendit të dytë, ndërkohë Sparta Praga me 6 pikë renditet e treta, por duke shpresuar deri në fund.

Arsenali nuk hasi probleme në Norvegji përballë Moldes vendase. Djemtë e Mikel Artetës fituan 0:3 dhe siguruan kualifikimin, me të tre golat që erdhën në pjesën e dytë me anë të Pepe (50’), Nelson (55’) dhe Balogun (83’).

Kualifikimin për në fazën tjetër e siguroi edhe skuadra tjetër angleze, Leçester Siti, që regjistroi një barazim spektakolar jashtë fushe ndaj Bragës.

3:3 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Portugali, me Xhejmi Vardi që i dhuroi një pikë “Dhelprave” me golin e shënuar në minutën e pestë shtesë. Përveç tij për skuadrën mike shënuan edhe Barns (9’) dhe Tomas (79’), ndërkohë për vendasit realizuan Elmusrati (4’), Paulinjo (24’) dhe Fransergio (90’).

Një fitore komode regjistroi edhe Dinamo Zagrebi si mysafir ndaj Volfsberger (0:3), Hofenhajmi që ec tutje mundi 2:0 në transfertë çekët e Liberec, ndërkohë takimi vëllazëror mes Karabagut dhe Sivasporit u mbyll me fitoren e turqve 2:3.

 

Leave a Reply