Ukraina shumë e fuqishme për Shqipërinë në futsal!

Kombëtarja shqiptare e Futsallit ka luajtur mbrëmjen e sotme kundër Ukrainës ndeshjen e dytë të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Europian 2022.

Ndeshja e zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës është fituar nga ekipi përfaqësues i Ukrainës, me rezultatin 3:10, transmeton “infOSport.mk”.

Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, zbriti në fushë me këtë formacion: Cristiano Da Silva, Azem Brahimi, Mentor Mejzini, Halim Selmanaj dhe Ermir Kryeziu.

Ndeshja ishte mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, me ukrainasit që shtangën kuqezinjtë, duke shënuar që në minutën e parë me anë të Zvarych.

Në minutën e 6-të, ukrainasit dyfishojnë rezultatin me Shoturma. Kuqezinjtë kërkuan golin dhe pas disa rastesh ishte kapiteni Mejzini, ai i cili gjeti rrjetën në minutën e nëntë dhe ngushtoi rezultatin.

Sërish raste për Kombëtaren, të cilët kërkojnë të barazojnë rezultatin dhe në minutën e 13-të, i falen golit të Brahimit, i cili shënon dhe barazon shifrat në 2:2.

Në minutën e 14-të, ukrainasit shënojnë dy herë, me Zvarych dhe Bilotserkivets. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2:5, me ukrainasit që shënojnë edhe një gol tjetër në minutën e 19-të me anë të Fareniuk.

Në fraksionin e dytë, kuqezinjtë tentojnë disa herë përpara portës ukrainase dhe arrijnë të shënojnë golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes vetëm në minutën e 34-të, me autorë Karaja.

Ukrainasit shënojnë edhe pesë herë të tjera, me Grytsyna (23’), Fareniuk (26’), Zvarych (27’), Yeromin (36’), Malyshko (40’).

Në fund fitore e Ukrainës me shifrat 10:3, skuadër kjo që zhvilloi ndeshjen e parë në kuadër të grupit 1, aty ku kryeson Kroacia, që ka dy fitore identike 4:1 nga dy ndeshjet e para të zhvilluara kundër Shqipërisë, gjegjësisht Danimarkës.

Duhet thënë se Ukraina dhe Kroacia janë dy ndër kombëtaret më të forta të kontinentit pasi renditen përkatësisht në vendin e 9-të dhe të 7-të në klasifikimin e UEFA-s.

Pas këtij rezultati, Shqipëria renditet e fundit në Grupin 1, me 0 pikë, teksa ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndaj Danimarkës me datë 3 mars. (infOSport.mk)

Leave a Reply