Levandovski i tregoi “përbindëshit” Haaland se kush është “baba” i golave dhe triumfeve në Gjermani (VIDEO)

Edhe përkundër disavantazhit prej 2:0 vetëm pas 10 minutave lojë, Bajerni i Munihut në fund mundi Borusinë e Dortmundit me rezultat 4:2, njofton “infOSport.mk”.

Edhe kjo ndeshje kaloi në shenjë të dy goleadorëve të mëdhenj, Levandovskit dhe Haaland. Ky i fundit e nisi ndeshjen frikshëm, teksa shënoi vetëm pas 75 sekondave lojë, ndërsa në minutën e 10-të shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Manuel Nojer.

Megjithatë kur në skuadër ke një “baba” të golave, si Levandovski, atëherë nuk duhet të brengosesh edhe përkundër faktit se ke disavantazh prej dy golave.

Sulmuesi polak morri gjithçka në duart e tij dhe falë golave të shënuar në minutat 26 dhe 44 nga penaltia, bëri që skuadra e tij në pushim të shkojë me barazimin 2:2.

Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 88-të, kur Leon Goretzka shënoi golin e tretë për Bajernin, skuadër kjo që për herë të parë kaloi në epërsi në ato momente, derisa njeriu i ndeshjes Robert Levandovski në minutën e 90-të me një goditje nga distanca shënoi edhe golin e tretë personal dhe të katërtin për Bajernin e Munihut.

Falë kësaj “triplete”, Levandovski arriti në kuotën e 31 golave të shënuar në 23 ndeshje, duke lënë shumë mbrapa vetes sulmuesin e Borusia Dortmundit, Erling Haaland, që ka 19 gola të shënuar, njëjtë sikurse edhe Andre Silva i Ajntraht Frankfurtit. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply