Gjoka flet për fitoren ndaj Pelisterit

Shkëndija e ka nisur mbarë fazën e tretë të garave në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, pasi sot në kuadër të xhiros së 23-të mundën 1:0 Pelisterin. Tre pikët u siguruan përmes golit të vetëm të Valmir Nafiut në minutën e 87-të, ndërsa skuadra vazhdon marshin drejt titullit kampion.

“Ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira, ne e dimë këtë situatë. E rëndësishme ishte që skuadra tregoi shpirtin e vet, tregoi menaxhimin e lojës. Normalisht edhe kundërshtari kishte shumë pak mundësi sot dhe kërkonin të na godasin në kundërsulme. Ne poseduam topin në shumicën e kohës, por ishte e vështirë të gjenim golin deri sa në moment të fundit erdhi goli. Kjo është shumë e rëndësishme për anën psikologjike të skuadrës për të vazhduar më tej.” – u shpreh Ernest Gjoka.

“Ishte e rëndësishme të gjenim golin. Ju e patë se e kërkuam në çdo formë, e kërkuam në çdo mënyrë. Aktivizuam gjithë sulmuesit e mundshëm që kishim sot në bankinë. Menaxhuam lojën në posedimin e topit, pavarësisht se kundërshtari mundohej shumë të na prishte aksionet. Por gjithsesi mendoj se u rrit ritmi dhe në pjesën e dytë u rrit edhe më shumë ana fizike, derisa e detyruam kundërshtarin që të vinte te ai gabim që ne shënuam golin.” – përfundoi Gjoka.

Shkëndija pas 23 xhirove numëron 50 pikë, 7 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë. “Kuqezinjtë” nga Tetova ndeshjen e rradhës do ta zhvillojnë në Shkup përballë rivalit të përbetuar, Vardarit.

Leave a Reply