Mësohen çiftet gjysmëfinaliste, Reali dhe Siti nuk zhgënjejnë! Rezultatet dhe golat (VIDEO)

Real Madrid-Çelzi dhe Mançester Siti – PSZh do të jenë çiftet gjysmëfinaliste të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve pas dueleve të zhvilluara mbrëmjen e kaluar.

Liverpulli edhe përkundër rasteve të shumta nuk ia doli të përmbyste humbjen e parë në Madrid, madje as të shënojë në rrjetën e Kurtua, derisa Mançester Siti kreu formalitetin e radhës në Dortmund.

Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop u munduan shumë në “Enfilld”, teksa e nisën me një rast të mirë goli me Salah, për t’u pasuar më pas edhe nga një goditje e Milner nga jashtë zone. Kurtua ishte në formë të shkëlqyer me pritjet e tij, sikurse edhe Benzema që u ndal nga shtylla pas 20 minutash lojë.

Sulmet e vendasve të Liverpull ishin të shumta. Firmino tentoi ta mposhte portierin belg të Realit, por ky ishte nëj mision i pamundur për të dhe të gjithë futbollistët e drejtuar nga Jurgen Klop. Real Madridi tregoi edhe një herë se në këtë kompeticion jo më kot ka triumfuar 13 herë dhe do tentojë t’ia dalë sërish, edhe pse shumë pak e besonin në fillim të këtij kompeticioni.

Ndërkohë  Mançester Siti ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë ndaj gjermanëve të Borusia Dortmund, edhe atë me të njëjtin rezultat 2:1, duke u kualifikuar me plotë meritë në gjysmëfinale.

“Pasanikët” nga Mançesteri e pësuan shumë shpejt nga 17-vjeçari Jude Bellingham, i cili realizoi një gol të bukur pas 15 minutash lojë.

Siti i pjesës së parë nuk ishte i zakonshmi, por i duhej të shënonte gol për të shmangur surprizën e gjermanëve. Dortmundi dhuroi një penallti 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë dhe Mahrez vendosi barazpeshën.

Për të qetësuar trajnerin Pep Guardiola mendoi talenti Fill Foden, i cili me një goditje të fortë shtangu portierin e verdhezinjve që duhet të nxirrte topin nga rrjeta dhe të priste fundin e ndeshjes për të uruar kundërshtarët për fitoren.

Leave a Reply