Bekim Rexhepi shkëlqen te Skenderbeu (VIDEO)

Teuta e Durrësit është kampione e Superligës së Shqipërisë për sezonin 2020/21, ndërsa Vllaznia dhe Partizani përfunduan sezonin në vendin e dytë dhe të tretë. Përkrahë futbollistëve nga vendi jonë që luajnë dhe kontribuan në suksesin e Vllaznisë dhe Partizanit për të kapur pozitat e Europës këtë verë, kontributë të madh për Skenderbeun e Korçës për të qëndruar në mesin e më të mirëve në kampionatin shqiptarë edhe sezonin e ardhshëm ka dhënë edhe portieri nga Shkupi, Bekim Rexhepi.

I huazuar nga Shkëndija e Tetovës te Skenderbeu, portieri i talentuar Rexhepi ka shkëlqyer në gjysmësezonin pranveror te skuadra korçare, të cilët suksesin më të madh këtë sezon e regjistrojnë që janë kualifikuar në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në një intervistë ekskluzive për televizionin Shenja, Rexhepi sqaron kalimin nga Shkëndija te Skenderbeu dhe ambientimin në skuadër.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Në Korçë jam pritur shumë mirë nga njerëzit, por kisha edhe disa njerëz tjerë që i njihja më herët dhe adaptimi ishte shumë i lehtë. Sezoni në Korçë në fillim nuk ishte edhe shumë i mirë, pasi nuk kisha edhe ndeshje si startues. Por në ndeshjet e fundit, mendoj jam dëshmuar shumë, kam treguar një pasqyrë të pastër nga ana e cilësive dhe gjërave tjera dhe besoj se ishte shumë mirë për mua”. 

Rexhepi me Skenderbeun të dielën do të luajnë në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Vllaznisë së Mevlan Adilit.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Tani për finalen e Kupës jemi shumë të përgatitur edhe me trajnerin kemi bërë analizë maksimalisht për ndeshjen. Besojmë se do të shkojmë për një ndeshje shumë të fortë dhe besoj fuqishëm se do të marrim fitoren më të rëndësishme të këtij sezoni”. 

Kur e provon vetën në dy kampionate, madje mund të japësh edhe një vlerësim. Gardiani shkupjan e vlerëson më lartë kampionatin shqiptarë në krahasim me kampionatin tonë vendor.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Kampionati i Shqipërisë të them të drejtën është realisht më interesant se i Maqedonisë, duke parë edhe nga ana e mediave dhe tani bëjmë pak diferencën, pasi Shkëndija në Maqedoni është shumë dominuese, që nuk ndodh që Bellasica  ti merr pikë në Tetovë, ndërsa këtu është më ndryshe si shembull ne i kemi marrë pikë Partizanit, Kukësit e Laçit që kanë qenë pretendent për titull”. 

Rexhepi te Shkëndija ishte shok skuadre me Leart Sadriun, ndërsa së bashku me kosovarin mbrojnë ngjyrat e të njejtës fanellë edhe në Shqipëri.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Te Skenderbeu jemi me Leartin këtu bashkë, kemi qenë edhe te Shkëndija bashkë dhe po kalojmë një kohë shumë të mirë, por besojmë se të dy do ta ngritim trofeun e Kupës”.  

I pyetur për kampionatin tonë vendor, Rexhepi thotë se Shkëndija me plotë meritë e ka fituar titullin në Maqedoni.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Shkëndija ka qenë dominuese në çdo ndeshje sepse ka edhe futbollistët dhe ka cilësitë më të mira se gjitha ekipet në kampionat atje. Të them të drejtën se këtu është pak më ndryshe, pasi nuk ka ekip dominues siç është Shkëndija në Maqedoni, por gjithsesi është me merita të plotë Shkëndija që ka dalur kampion edhe më herët që kemi qenë nga 35 pikë para diferencë më vendin e dytë”.  

Me përfundimin e angazhimeve te Skenderbeu për këtë sezon, Bekim Rexhepi do të vendos për të ardhmen e tij se ku do të qëndrojë në sezonin e ri. Sipas tij, nuk anashkalohet as mundësia për të vazhduar te Skenderbeu edhe për një sezon tjetër.

Bekim Rexhepi, portier i Skenderbeut
“Për të ardhmen time nuk kam menduar shumë, pasi jam koncentruar shumë në ndeshjet e kampionatit këtu në Shqipëri dhe mendoj njëherë që të mbarojë kjo e gjitha. Mendoj që do të ulemi me drejtuesit e Shkëndijës njëherë në tavolinë të bisedojmë dhe të shohim se çfarë do të jetë e ardhmja, por besoj që mund të qëndrojë edhe këtu te Skenderbeu, kemi biseduar edhe me stafin dhe presidentin Takaj dhe do të shohim deri në fund se çfarë do të ndodh”.  

Leave a Reply