Spanja i hakmerret Italisë dhe kalon në finalen e madhe të Ligës së Kombeve (VIDEO)  

Spanja i është hakmarrë Italisë për disfatën në gjysmëfinalen e Euro 2021, duke e mundur këtë herë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Ndeshja e zhvilluar në “San Siro” u mbyll me fitoren 2:1 të “iberikëve”, e ku fjalën kryesore e pati sulmuesi, Feran Torres.

Futbollisti i Mançester Sitit shënoi që të dy golat për ekipin e Luis Enrikes, i cili në këtë mënyrë ndali serinë prej 37 ndeshjeve pa disfatë të skuadrës së Roberto Mançinit.

Golin e parë Feran Torres e realizoi në minutën e 17-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Ojarzabal nga e majta dhe nga brendia e zonës shënoi për 1:0. Teksa pjesa e parë po shkonte drejt fundit, Bonuçi merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 42-të duke lënë ekipin “axurrë” me 10 futbollistë.

Një goditje e rëndë për skuadrën e Mançinit, ku Spanja ia doli të përfitonte më së miri, pasi vetëm pak minuta më vonë arrin të shënojë edhe golin e dytë sërish me Ferran Torres.

Pjesa e parë mbaron me avantazhin e dyfishtë për Spanjën. E dyta nis me disa ndërrime nga Mançini, duke futur në lojë lojtarë si Kean apo Lokatelli, por me një lojtar më pak do ta kishin të pamundur  t’i bënin keq kundërshtarit, i cili ka luksin ta mbrojë rezultatin.

Fije shpresat do të ndizeseshin në minutat  e fundit në “San Siro”, pasi Pellegrini do të ngushtonte rezultatin në minutën e 83-të pas një asisti të Kieza, por që në fund do të vlente vetëm si statistikë.

Spanja është ekipi i parë që prek finalen dhe do presë fituesin e takimit, Francë-Belgjikë.

Leave a Reply