FIFA dënon Serbinë për ofendimet e bëra ndaj Xhakës dhe Shaqirit në “Qatar 2022”!

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka dënuar sërish Serbinë. FIFA gjatë ditës së sotme shqiptoi një dënim prej 50 mijë frangave për Federatën serbe, për shkak thirrjeve fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar, huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht dy futbollistët shqiptarë që përfaqësuan Zvicrën në këtë event, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

Zvicra në atë ndeshje kishte shënuar fitore 3:2, duke e dërguar Serbinë në shtëpi, ndërsa një nga golat kishte realizuar edhe Xherdan Shaqiri.

Gjoba prej 50 mijë frangave ka të bëjë edhe me sjelljen e lojtarëve serbe në fushë, që po ashtu ishin josportive.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 50 mijë franga zvicerane dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (prej 25 për qind), në ndeshjen zyrtare të radhës të përfaqësueses A. Dënimi është për shkelje të neneve 13 (diskriminimi) dhe 12 (sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA”, shkruan në vendim.

FIFA ka sqaruar se bëhet fjalë për thirrjet e tifozëve serbë si dhe sjelljen e keqe të ekipit, përkatësisht ndëshkimin e shtatë lojtarëve të Serbisë me kartona të verdhë.

Është ky dënimi i dytë i FIFA-s ndaj Serbisë lidhur me qëndrimet anti-shqiptare në Botërorin e fundit në Katar, aty ku kampion Bote u shpall Argjentina e Lionel Messit.

Leave a Reply