EKSKLUZIVE, edhe një shqiptarë gati për t’iu bashkuar përfaqësueses së Maqedonisë!

Shqiptarët në arenën ndërkombëtare përfaqësohen denjësisht me dy kombëtare, atë kryesoren, Shqipërinë dhe përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, siç dihet tashmë botërisht, shqiptarët me mjaft sukses përfaqësojnë edhe shumë shtete të tjera.

Mjafton të përmendet vetëm përfaqësuesja futbollistike e Zvicrës, por edhe ajo e Gjermanisë, me të cilën Shkodran Mustafi me origjinë nga Gostivari ishte shpallur kampion Bote. Shtojmë këtu gjithashtu edhe përfaqësueset nga rajoni, siç është Mali i Zi apo edhe Greqia, por edhe vendi ynë në të cilin jetojmë, Maqedonia e Veriut.

Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë së Veriut, aktualisht në organikën e saj ka 6 futbollistë shqiptarë, përfshirë këtu kapitenin Enis Bardhi, pastaj emrat si Reshat Ramadani, Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Isnik Alimi dhe Lirim Qamili.

Ndërkohë siç mëson ekskluzivisht “infosport.mk”, së shpejti përfaqësueses futbollistike të vendit tonë mund ti bashkohet edhe një futbollistë tjetër shqiptarë, këtë herë me origjinë nga Kumanova!?

Fjala është për Valon Hamdiun, aktualisht pjesë e skuadrës rumune të AFC Unirea 04 Slobozia, te  cila skuadër po tregon paraqitje shumë të mira, ndërsa kjo ka bërë që edhe interesimi për të mos të mungojë.

27-vjeçari te skuadra e AFC Unirea 04 Slobozia u transferua gjatë kësaj vere, edhe atë nga skuadra e Shafhauzen të Zvicrës, aty ku edhe është krijuar si futbollistë.

Hamdiu me prindër nga Kumanova, si shumë shqiptarë që i vogël kishte migruar drejt shtetit “helvetik”, që i kishte dhënë mundësinë për tu zhvilluar në mënyrën më të mirë në një futbollistë profesionist.

Ai numëron mbi 100 ndeshje në Ligën e Parë zvicerane, ndërsa gjithashtu ka luajtur edhe në Superligë me skuadrën e Lozanës.

Pikërisht përvoja e tij e madhe, por edhe dëshira për tu provuar jashtë Zvicrës, shtyen Hamdiun që në verë ti thotë “PO” skuadrës rumune të AFC Unirea 04 Slobozia, aty ku po shkëlqen sërish.

Valoni ka luajtur në 8 ndeshje, duke munguar vetëm kundër Steaua Bukuresht. Ai është paraqitur thuajse në të gjitha ndeshjet titullarë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rezultatet e kënaqshme të AFC Unirea 04 Slobozia në elitën e futbollit rumun.

Kjo skuadër pas 9 xhirove të kaluara numëron 14 pikë duke u renditur në pozitën e 6-të.

AFC Unirea 04 Slobozia në xhiron e fundit mundi ekipin e FC Hermannstadt në transfertë me rezultatin 2:0, derisa Valon Hamdiu ishte një motor i vërtetë në mesfushën e skuadrës së tij, duke u përzgjedhur madje edhe në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit rumun.

Valon Hamdiu luan si mesfushor difenziv, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti në të kaluarën kishte përfaqësuar ekipin përfaqësues shpresa të Kosovës, për të cilën kishte regjistruar 3 paraqitje.

Megjithatë kjo nuk është asnjë pengesë, që Hamdiu ti bashkëngjitet ekipit A përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, që po mahnit me rezultatet në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2026.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut kryeson grupin “J” me 11 pikë, një më shumë se Belgjika e vendit të dytë, që njëherit do të jetë edhe kundërshtari i rradhës i “verdhekuqve” në ndeshjet e tetorit. (infOSport.mk)

Leave a Reply